top of page

Alarm sigurie, pezullon mësimi në dhjetëra shkolla

  • 6 hours ago
  • 1 min read

Rreth 20 shkolla në qytetin Borlänge, në Suedinë qendrore, janë mbyllur përkohësisht pas raportimeve për kërcënime të mundshme, duke ngritur shqetësime për sigurinë në institucionet arsimore.


Vendimi u mor nga autoritetet lokale si masë parandaluese, ndërsa bashkia konfirmoi se 16 shkolla publike kanë pezulluar aktivitetin. Paralelisht, edhe pesë institucione arsimore private kanë ndërprerë procesin mësimor deri në një njoftim të dytë.


Policia suedeze ka nisur një hetim paraprak për kërcënime serioze të paligjshme ndaj një grupi, pasi janë siguruar informacione që lidhen me rrezik potencial ndaj shkollave në këtë zonë. Megjithatë, sipas autoriteteve, mbetet ende e paqartë nëse bëhet fjalë për një kërcënim konkret apo jo.


Qyteti i Borlänge, me rreth 45 mijë banorë dhe i vendosur rreth 200 kilometra në veri të Stockholm, njihet si një zonë relativisht e qetë, ku incidente të tilla janë të rralla.


Megjithatë, Suedia ka përjetuar disa ngjarje të rënda në vitet e fundit. Në vitin 2025, një sulm me armë në Örebro shkaktoi 10 viktima në një qendër arsimore për të rritur. Ndërsa në vitin 2022, një nxënës vrau dy mësues në një shkollë në Malmö. Një tjetër sulm i rëndë ishte regjistruar në vitin 2015 në Trollhättan, ku humbën jetën tre persona.


Hetimet për rastin aktual janë ende në vijim, ndërsa autoritetet pritet të japin përditësime të mëtejshme lidhur me situatën dhe rihapjen e shkollave.

“KORÇA BOOM”


bottom of page