top of page

Argjentina zbret nën akull, Evropa digjet. Çfarë po ndodh me klimën?!

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 14 hours ago
  • 2 min read

Ndërsa Evropa po përballet me një valë të fortë të nxehti, në anën tjetër të botës, Argjentina është kapluar nga një valë e ftohti e pazakontë për Hemisferën Jugore. Temperaturat kanë rënë në nivele historike, duke shkaktuar pasoja të rënda për popullsinë, veçanërisht për ata më të pambrojturit.


Në kryeqytetin Buenos Aires, u regjistrua një temperaturë prej -19 gradë Celsius, më e ulëta në 34 vitet e fundit, sipas Shërbimit Meteorologjik Argjentinas. Ndërkohë, në zonën e El Palomar, që ndodhet pranë kryeqytetit, temperatura arriti në -7.4 gradë Celsius, shifra më e ulët në 58 vjet dhe e dyta më e ulët që nga viti 1935.


Më në jug, në qytetin Makindsao në Patagoni, i cili ndodhet rreth 1,400 kilometra nga Buenos Aires, temperaturat kanë lëvizur ndërmjet -12 dhe -18 gradë Celsius që nga fillimi i javës. Megjithatë, këto shifra mbeten ende larg rekordit kombëtar prej -35 gradë Celsius të regjistruar në vitin 1991.


Ndërkohë, në qytetin bregdetar Miramar, rreth 450 kilometra larg kryeqytetit, plazhet u mbuluan me borë në fillim të javës. Një fenomen i rrallë që nuk ishte parë për 12 vjet me radhë, duke treguar qartë ashpërsinë e valës së të ftohtit.


Situata është bërë alarmante për të pastrehët. Organizata joqeveritare Proyecto 7, e cila merret me ndihmën e kësaj shtrese të popullsisë, njoftoi se në dhjetë ditët e fundit kanë humbur jetën nëntë persona për shkak të ekspozimit ndaj të ftohtit ekstrem. Autoritetet ende nuk kanë publikuar një raport zyrtar, por organizata paralajmëron për një rritje shqetësuese të numrit të rasteve të tilla.


Këto ngjarje pasqyrojnë polarizimin klimatik që po ndodh në mënyrë të përshpejtuar në mbarë botën. Ndërsa njëra hemisferë përjeton nxehtësi përvëluese, tjetra përballet me ngrica të jashtëzakonshme, duke thelluar shqetësimet për ndikimin e ndryshimeve klimatike në jetën e përditshme dhe sigurinë e njerëzve.

“KORÇA BOOM”


bottom of page