Arrestohet ish-drejtori i Kadastrës, akuzohet për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh
top of page

Arrestohet ish-drejtori i Kadastrës, akuzohet për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh

  • 12 hours ago
  • 1 min read

Zëvendësdrejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër, Daniel Gjura, është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga Policia, në kuadër të hetimeve për një skemë të dyshuar të tjetërsimit të paligjshëm të pronave.


Sipas burimeve, Gjura ishte shpallur në kërkim, pasi ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim.


Arrestimi i tij vjen pak ditë pasi Policia e Dibrës finalizoi një operacion që goditi një skemë të dyshuar kriminale për tjetërsimin e pronave. Më 17 qershor, pas një hetimi 7-mujor, u ekzekutuan 14 masa sigurie ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe ndaj disa personave të dyshuar si përfitues të skemës.


Nga hetimet paraprake dyshohet se punonjës aktualë dhe ish-punonjës të Kadastrës Dibër, në bashkëpunim me një notere dhe persona të tjerë, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë kryer veprime administrative të kundërligjshme për të mundësuar tjetërsimin e pronave të paluajtshme në favor të shtetasit T. D. dhe familjarëve të tij.


Daniel Gjura ka mbajtur më herët edhe detyrën e drejtorit të Kadastrës në Dibër. Gjithashtu, ai ka qenë kandidat për deputet nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.


Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rolit të secilit prej personave të përfshirë në këtë dosje.

“KORÇA BOOM”


bottom of page