Vijon furtuna në administratë, dorëhiqen dy drejtues të rëndësishëm
Vijojnë lëvizjet në administratën shtetërore pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen e drejtuesve të institucioneve në varësi të ministrive.
Blerina Gjylameti, drejtuese e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), dhe Besmir Beja, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave, kanë dhënë dorëheqjen nga detyrat e tyre.
Lëvizjet vijnë pas kërkesës së Ramës drejtuar ministrave për të administruar dorëheqjet e drejtuesve të agjencive dhe institucioneve shtetërore, si në nivel qendror, ashtu edhe në rrethe.
Sipas raportimeve mediatike, procesi pritet të zhvillohet në dy faza. Fillimisht do të dorëzohen zyrtarisht letrat e dorëheqjes, ndërsa në fazën e dytë do të analizohet performanca e secilit drejtues për të vendosur mbi vijimin e tij në detyrë.
Deri në përfundimin e procedurave, drejtuesit e përfshirë në këtë proces pritet të vijojnë të qëndrojnë në detyrë, sipas raportimeve.
Më herët, në kuadër të së njëjtës nismë, u raportua edhe për dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj.
Në total, kjo lëvizje pritet të prekë mbi 130 drejtues institucionesh në nivel qendror dhe vendor. Deri më tani, qeveria nuk ka bërë publike të gjitha kriteret e vlerësimit apo procedurat që do të ndiqen për vendimmarrjen përfundimtare.
“KORÇA BOOM”
















