Atentati me tritol, vd*s Beqir Devolli/ Kush ishte shënjestra e vërtetë?
Beqir Devolli ka humbur jetën pas shpërthimit të automjetit të tij në qendër të Gjirokastrës, pranë godinave të Policisë dhe Gjykatës. Në makinë udhëtonte edhe Rigels Mela, i cili dyshohet se ishte objektivi i atentatit. Në prill të vitit 2025, një tjetër shpërthim përfshiu automjetin e Melës në lagjen Dunavat...
Beqir Devolli ka humbur jetën mëngjesin e së dielës, 11 tetor, disa orë pasi një shpërthim i fuqishëm goditi automjetin e tij tip “Mercedes-Benz”, ndërsa lëvizte në qendër të Gjirokastrës.
Sipas informacioneve të raportuara për ngjarjen, Devolli ndërroi jetë gjatë transportimit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku mjekët do t'i jepnin ndihmë më të specializuar. Ai kishte marrë dëmtime të rënda nga shpërthimi që ndodhi mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 22:00, në bulevardin “18 Shtatori”.
Në automjet ndodhej edhe Rigels Mela, i cili udhëtonte si pasagjer. Mela mbeti i plagosur, por sipas raportimeve të fundit, ai është jashtë rrezikut për jetën. Dyshimet paraprake janë se pikërisht ai mund të ketë qenë shënjestra e atentatit, megjithëse policia nuk ka konfirmuar zyrtarisht identitetin e personit që autorët synonin të godisnin.
Detajet e publikuara tregojnë se shpërthimi ndodhi pranë Gjykatës së Gjirokastrës dhe Komisariatit të Policisë. Pas shpërthimit, automjeti humbi kontrollin, vijoi lëvizjen dhe përfundoi mbi trafikndarësen, përpara Drejtorisë Vendore të Policisë.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë dëmtime të konsiderueshme në automjet, ndërsa shpërthimi u dëgjua në një pjesë të madhe të qytetit.
Në vendngjarje mbërritën shërbimet e emergjencës, ambulancat dhe efektivët e policisë, të cilët rrethuan zonën.
Fillimisht, hetuesit shqyrtuan edhe mundësinë e një shpërthimi nga impianti i gazit. Por raportimet e mëvonshme treguan se automjeti përdorte naftë, ndërsa dyshimet u përqendruan te vendosja e një sasie lënde plasëse.
Burime jozyrtare të policisë, të cituara nga mediat, raportuan se lënda plasëse dyshohet të ketë qenë tritol. Një nga pistat që po shqyrtojnë hetuesit është aktivizimi i saj në distancë, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për mekanizmin e shpërthimit apo sasinë e eksplozivit.
Një detaj tjetër që merr rëndësi për hetimin është një ngjarje e mëparshme, ku përfshihej Rigels Mela.
Në prill të vitit 2025, automjeti i tij tip “Range Rover” u përfshi nga flakët ndërsa qëndronte i parkuar në lagjen Dunavat të Gjirokastrës. Banorët e zonës njoftuan autoritetet pasi konstatuan zjarrin, ndërsa nga ngjarja nuk pati persona të lënduar.
Mediat kanë raportuar se edhe në atë rast dyshohej për një shpërthim, por rrethanat nuk u sqaruan publikisht. Nuk ka ende të dhëna zyrtare që të provojnë nëse zjarri i vitit 2025 dhe atentati i 10 tetorit 2026 kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Megjithatë, ky episod është një element që mund të ndihmojë hetuesit për të përcaktuar nëse Rigels Mela ka qenë objektiv i ndonjë sulmi të mëparshëm dhe nëse shpërthimi i fundit lidhet me të njëjtin konflikt.
Një tjetër rrethanë që kërkon sqarim është vendndodhja e atentatit. Autorët dyshohet se kanë zgjedhur të godasin një automjet në lëvizje, në një nga rrugët kryesore të Gjirokastrës, pranë institucioneve të drejtësisë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë.
Ky fakt ngre pyetje për mënyrën se si autorët mund të kenë ndjekur lëvizjet e automjetit dhe për momentin e aktivizimit të eksplozivit. Megjithatë, hetimi nuk ka përcaktuar ende vendin ku autorët vendosën lëndën plasëse, kohën e vendosjes apo personat që mund të kenë marrë pjesë në organizimin e sulmit.
Në njoftimin e parë, Policia e Gjirokastrës deklaroi:
“Rreth orës 22:00, në bulevardin ‘18 Shtatori’, dyshohet se ka shpërthyer automjeti tip ‘Benz’, në pronësi të shtetasit B. D., i cili ishte në lëvizje. Si pasojë e shpërthimit, kanë mbetur të dëmtuar shtetasit B. D. dhe R. M., të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit dhe përcaktimin e saktë të shkakut të shpërthimit”.
Hetuesit duhet të përcaktojnë nëse autorët synonin Beqir Devollin, në pronësi të të cilit ishte automjeti, apo Rigels Melën, emri i të cilit lidhet edhe me incidentin e vitit 2025.
Deri tani nuk ka një njoftim publik për identifikimin apo arrestimin e autorëve, ndërsa motivi i atentatit mbetet i paqartë. /Pamfleti
















