Baste të dyshimta dhe një gol që përfundoi në gjykatë, dy klubet shqiptare nën akuzë për shitje ndeshjesh; sinjalizime nga UEFA
Dyshimet për manipulimin e ndeshjeve kanë tronditur futbollin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa në qendër të një çështjeje që përfshin UEFA-n, Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM) dhe organet e drejtësisë është vendosur klubi Bashkimi 1947.
Bëhet fjalë për dy ndeshje të zhvilluara gjatë vitit 2025, njëra prej të cilave figuron në raportimet për aktivitet të dyshimtë bastesh, ndërsa tjetra është tashmë objekt i një procesi gjyqësor.
Rasti i parë lidhet me përballjen Bashkimi – Vardar Negotino, të zhvilluar më 24 mars 2025, në kuadër të Ligës së Dytë.
Në shkurt të vitit 2026, FFM publikoi informacione nga raportet e Departamentit të Integritetit të UEFA-s, në të cilat evidentoheshin aktivitete të pazakonta bastesh në disa ndeshje, mes tyre edhe takimi në fjalë.
Vëmendje të veçantë ka marrë përballja mes Kozhufit dhe Bashkimit, e zhvilluar më 6 maj 2025, ku skuadra mike triumfoi me rezultatin 1-2.
Sipas informacioneve të publikuara, dyshimet lidhen veçanërisht me golin e dytë të Bashkimit, të shënuar në fund të kohës shtesë, kur lojtarët e Kozhufit qëndruan pa reaguar.
Fitorja kishte një rëndësi të madhe për Bashkimin, që në atë fazë të kampionatit kishte nevojë për tri pikët për të mbajtur gjallë shpresat e ngjitjes në elitën e futbollit maqedonas.
Ndeshja është tashmë objekt i një procesi aktiv gjyqësor, për shkak të të cilit nuk janë bërë publike detaje të mëtejshme.
Pas ngritjes së dyshimeve, Departamenti i Sigurisë dhe Integritetit pranë FFM-së nisi procedurë në Komisionin Disiplinor ndaj shtatë personave nga Kozhufi, si dhe ndaj vetë klubit, për dyshime të arsyeshme mbi cenimin e integritetit të ndeshjes.
Procedura disiplinore u zgjerua më pas, duke përfshirë të dyja klubet, Kozhufin dhe Bashkimin 1947.
Federata ka sqaruar se nuk është organ hetimor dhe se roli i saj konsiston në koordinimin ndërmjet institucioneve ndërkombëtare të futbollit dhe autoriteteve vendore të policisë.
Megjithatë, deri më tani nuk rezulton të jetë bërë publik asnjë vendim përfundimtar nga FFM-ja, UEFA apo gjykata që të konfirmojë manipulimin e ndeshjeve.
Për rrjedhojë, përgjegjësia e klubeve dhe e personave të përfshirë mbetet e papërcaktuar, ndërsa çështja vijon të jetë objekt i procedurave disiplinore dhe gjyqësore.
“KORÇA BOOM”
















