Deklaratë pa filtra nga Zguro: “I var këpucët nëse nuk arrijmë vendin e dytë”
- Korca Boom
- 6 hours ago
- 1 min read
Kapiteni i Liqenorëve, Vangjel Zguro, ka dhënë një deklaratë të fortë pas nisjes së epokës së re në Pogradec me trajnerin Emiljano Çela në krye. Me shumë besim dhe vendosmëri, ai është shprehur se skuadra do të ketë rritje të shpejtë, si në lojë, ashtu edhe në renditje.
Zguro theksoi se Pogradeci nuk është një skuadër që mund të kënaqet me pak:“Ju them me bindje të plotë se në përfundim të fazave të këtij viti, ekipi i Pogradecit do të jetë në vendin e dytë, gjithmonë pas Skënderbeut. Dhe shumë shpejt do t’i afrohemi edhe atyre. Nëse kjo nuk ndodh, unë e them publikishti var këpucët në gozhdë dhe nuk luaj më futboll.”
Kapiteni liqenor nuk la vend për dyshime në fjalët e tij, duke treguar jo vetëm pasionin për klubin, por edhe një nivel të lartë përgjegjësie dhe besimi në potencialin e skuadrës.
Pogradeci është një nga ekipet me investimet më të mëdha në kategorinë ku garon dhe ka objektiva të qarta për ngjitje dhe rikthim të shpejtë në nivelet më të larta të futbollit shqiptar. Me trajnerin Emiljano Çela tashmë në krye, skuadra duket se ka marrë një frymë të re, dhe fjalët e Zguros vetëm sa e shtojnë entuziazmin në kampin pogradecar.
“KORÇA BOOM”
