top of page

Dhimbjet pas operacionit dhe çarja e zorrës/ Çfarë ndodhi me 17-vjeçaren në QSUT?

  • 8 hours ago
  • 3 min read

Gazetari Osman Stafa ka ngritur shqetësime për rastin e një 17-vjeçareje të shtruar në QSUT, duke kërkuar sqarime mbi komplikacionet e rënda që ajo pësoi vetëm pak ditë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale.


Sipas Stafës, vajza me inicialet M.M. u shtrua më 27 korrik në pavionin e Kirurgjisë, me dhimbje barku, të vjella dhe probleme me funksionimin e zorrëve. Gjatë operacionit të parë, mjekët konstatuan ngjitje të zorrëve dhe kryen lirimin e tyre.


Por, sipas familjarëve, pas ndërhyrjes 17-vjeçarja vijoi të kishte dhimbje të forta. Më 29 korrik iu krye një skaner i abdomenit, ku në zorrën e hollë u evidentuan disa “hidronivele”, që lidhen me grumbullimin e ajrit dhe lëngjeve në zorrë.


Situata u përkeqësua mbrëmjen e 30 korrikut. Vajza shfaqi vështirësi të rënda, me frymëmarrje dhe rrahje të shpejta të zemrës, si dhe fryrje të barkut, duke u transferuar me urgjencë në Reanimacion dhe më pas në sallën e operacionit.


Gjatë ndërhyrjes së dytë, sipas dokumentacionit të bërë publik nga gazetari, u konstatua një çarje rreth 1.5 centimetra në zorrën e hollë, me përhapje të përmbajtjes intestinale në kavitetin abdominal.


Mjekët kryen pastrimin e abdomenit dhe vendosën një ileostomi të përkohshme. Pas operacionit, 17-vjeçarja u shtrua në Reanimacion, e intubuar dhe në gjendje të rënduar.


Rasti ngre disa pikëpyetje mbi periudhën mes dy ndërhyrjeve kirurgjikale. Stafa kërkon të mësojë nëse çarja e zorrës lidhet me operacionin e parë, kur është krijuar ajo dhe nëse dhimbjet e vazhdueshme të raportuara nga familjarët janë reflektuar dhe trajtuar në kartelën mjekësore.


Një tjetër pikë që kërkon sqarim është skaneri i kryer më 29 korrik dhe nëse rezultatet e tij duhej të sinjalizonin më herët një komplikacion të mundshëm.

POSTIMI I PLOTE


Çfarë ndodhi me 17-vjeçaren në QSUT?


Një rast i rëndë, për të cilin ngrihen dyshime për neglizhencë mjekësore, kërkon sot përgjigje nga QSUT.


Bëhet fjalë për 17-vjeçaren M.M.


Më 27 korrik 2026, vajza shtrohet në pavionin e Kirurgjisë në QSUT, me dhimbje barku, të vjella dhe probleme me funksionimin e zorrëve.


Ajo futet në sallën e operacionit. Sipas dokumentacionit mjekësor, gjatë ndërhyrjes konstatohen ngjitje të zorrëve, të cilat lirohen.


Por këtu fillon historia që duhet sqaruar.


Familjarët pretendojnë se pas ndërhyrjes vajza kishte dhimbje shumë të forta, të cilat vazhduan edhe në ditët në vijim. Ata ngrenë dyshimin se gjendja e saj nuk u vlerësua dhe nuk u ndoq me seriozitetin që kërkonte.


Më 29 korrik vajzës i kryhet një skaner i barkut. Dokumentacioni mjekësor shënon se në zorrën e hollë evidentohen disa të ashtuquajtura “hidronivele”, pra grumbullime ajri dhe lëngu që mund të shoqërojnë probleme me kalimin normal në zorrë.


Dhe vijmë në mbrëmjen e 30 korrikut.


Në orën 22:40 gjendja e 17-vjeçares rëndohet. Frymëmarrja dhe rrahjet e zemrës i shpejtohen, ndërsa barku i fryhet.


Transferohet në Reanimacion dhe futet me urgjencë përsëri në sallën e operacionit.


Ajo që mjekët gjejnë këtë herë është shumë serioze.


Zorra e hollë ishte çarë rreth 1.5 centimetra.


Nga çarja kishte dalë përmbajtje e zorrës brenda barkut.


Mjekët detyrohen të pastrojnë kavitetin e barkut dhe të krijojnë një ileostomi të përkohshme, pra të nxjerrin një pjesë të zorrës në sipërfaqen e barkut, që jashtëqitja të mblidhet në një qese.

Pas ndërhyrjes vajza përfundon në Reanimacion, e intubuar, me rrahje të shpejta të zemrës dhe tension të ulët.


Dhe pikërisht këtu duhen përgjigjet.


Çfarë ndodhi nga operacioni i 27 korrikut deri në mbrëmjen e 30 korrikut?


Si u krijua çarja 1.5 centimetra në zorrën e një vajze që vetëm tri ditë më parë kishte dalë nga një ndërhyrje kirurgjikale?


A ka lidhje çarja me ndërhyrjen e parë?


Nëse jo, cili është shpjegimi mjekësor për të?


Kur mendohet se është krijuar çarja?


A janë regjistruar në kartelën e pacientes dhimbjet e forta për të cilat flasin familjarët dhe çfarë kanë bërë mjekët pas këtyre ankesave?


Çfarë tregonte realisht skaneri i datës 29 korrik dhe a kishte elemente që duhej të ngrinin alarmin për një komplikacion serioz?


Dhe pyetja më e rëndësishme:


A mund të ishte konstatuar më herët ajo që po ndodhte në barkun e kësaj vajze?


Sot vajza është dërguar në Turqi, vendim i familjarëve.


Unë nuk mund të përcaktoj nëse kemi apo jo neglizhencë mjekësore. Këtë duhet ta përcaktojë një ekspertizë profesionale dhe e pavarur.


Por faktet e dokumentuara janë të rënda dhe hendeku prej tri ditësh mes dy operacioneve kërkon shpjegim.


Prandaj QSUT duhet të bëjë transparente kartelën klinike, monitorimin e pacientes, raportin e plotë të skanerit të 29 korrikut dhe raportet e të dy ndërhyrjeve kirurgjikale.


Dhe mbi të gjitha duhet t’i përgjigjet një pyetjeje të thjeshtë:


Çfarë ndodhi me M.M brenda atyre tri ditëve?

“KORÇA BOOM”


bottom of page