Dhuna dhe ndërhyrja e policisë në fokus, reagon Delegacioni i Parlamentit Evropian për Shqipërinë
Delegacioni i Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë ka reaguar për zhvillimet e fundit gjatë protestave në Tiranë, duke shprehur shqetësim si për aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës, ashtu edhe për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës nga policia.
Në një deklaratë të firmosur nga eurodeputeti Marco Tarquinio, kryetar i Delegacionit për marrëdhëniet me Shqipërinë, dhe Andreas Schieder, raportuesi i përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, dënohet përshkallëzimi i dhunshëm i protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimi i pronës publike e private.
Përfaqësuesit evropianë u kanë bërë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune, duke theksuar se dhuna nuk ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve dhe nuk ka vend në një shoqëri demokratike.
Njëkohësisht, në deklaratë shprehet shqetësim serioz për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës policore ndaj protestuesve. Autoriteteve u kërkohet të tregojnë vetëpërmbajtje, ndërsa organeve përgjegjëse t'u japin përgjigje rasteve të raportuara dhe të përcaktojnë përgjegjësinë individuale për çdo akt dhune, përfshirë përdorimin e tepruar të forcës.
Delegacioni i Parlamentit Evropian nënvizon se liria e tubimit paqësor dhe liria e shprehjes mbrohen nga Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Sipas deklaratës, të rinjtë që marrin pjesë në protesta kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre, veçanërisht për çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e tyre. Për këtë arsye, autoriteteve shqiptare u kërkohet të garantojnë ushtrimin e së drejtës për tubim, përfshirë protestat paqësore.
Në përfundim, përfaqësuesit evropianë bëjnë thirrje për dialog paqësor, konstruktiv dhe serioz mes të gjitha palëve, me qëllim adresimin e pakënaqësive të ngritura nga protestuesit në përputhje me ligjet shqiptare dhe standardet evropiane.
“Respektimi i shtetit të së drejtës mbetet standardi kryesor dhe kusht i detyrueshëm për përparimin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratë.
“KORÇA BOOM”
















