Bonusi për policët pas protestave, çfarë kërkon deputeti socialist për mjekët, mësuesit dhe ushtarakët
Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, ka reaguar pas vendimit të qeverisë për shpërblimin me 2,500 euro të efektivëve të Policisë së Shtetit të angazhuar gjatë protestave studentore.
Në reagimin e tij, Vengu e cilëson këtë vendim si pjesë të një politike më të gjerë për vlerësimin e profesioneve kyçe në shërbimin publik. Sipas tij, ushtarakët, punonjësit e policisë, arsimtarët, mjekët, infermierët dhe zjarrfikësit duhet të kenë një pozicion të rëndësishëm në piramidën e pagave të administratës shtetërore.
Deputeti argumenton se këto profesione mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejta për sigurinë, mbrojtjen e vendit, arsimin dhe kujdesin shëndetësor, ndaj puna e tyre duhet të vlerësohet dhe të shpërblehet.
Vengu thekson gjithashtu se rivendosja e rendit në rrugë duhet të shoqërohet me rivendosjen e vlerave dhe përgjegjësive shoqërore, duke vënë në qendër personat që shërbejnë për shtetin.
Reagimi i deputetit socialist vjen pas njoftimit të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë një takimi me drejtuesit e Policisë së Shtetit bëri të ditur se efektivët e angazhuar në terren gjatë protestave do të përfitojnë një shpërblim prej 2,500 eurosh. Rama njoftoi gjithashtu një rritje të konsiderueshme të pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, që pritet të nisë nga 1 janari.
“KORÇA BOOM”
















