top of page

“Nuk do ta shohin më derën e shkollës”, Edi Rama ua bën të qartë mësuesve që nxisin nxënësit të dëmtojnë institucionet: S’ka më punë në shtet për ju!

4 hours ago
6 min read

Kryeministri Edi Rama, në një takim me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, ka reaguar këtë të hënë për protestën e dhunshme që zhvillohet në Tiranë prej 13 tetorit, duke shprehur mbështetjen për efektivët e Policisë së Shtetit dhe duke dënuar sulmet ndaj uniformave blu dhe institucioneve.


Gjatë fjalës së tij, Rama njoftoi një shpërblim prej 2,500 eurosh për çdo efektiv të angazhuar në përballimin e protestave, si dhe paralajmëroi rritje të konsiderueshme të pagave të policisë nga 1 janari.


Kryeministri u ndal edhe te përgjegjësia për dëmet e shkaktuara, pasojat për të miturit dhe studentët e përfshirë në akte dhune, ndërsa theksoi se mbetet i hapur për dialog me qytetarët, por jo me ata që, sipas tij, nxisin dhe mbështesin dhunën.


“Në radhë të parë mirënjohje edhe respekt për ju dhe për të gjithë ata që nën drejtimin tuaj, po përballen me dinjitet, me forcë, me kurajë, me një valë dhune, e cila nuk ka të bëjë aspak me asnjë nga arsyet që janë legjitime të qytetarëve në një vend të lirë dhe demokratik, për të patur pakënaqësi dhe për të kërkuar më shumë nga qeveria.


Kam ardhur prapë sot me këtë me vete (gurin) sepse vërtetë duhet ta mbash në dorë, ta peshosh; duhet të llogarisësh sa i shtohet pesha kur vjen në drejtimin e njerëzve nën uniformë dhe se çfarë mund të bëjë mbi këdo.


Me këtë (gurin) nuk negociohet dhe me këdo që vë përpara këtë, nuk negociohet, sepse në momentin kur shteti negocion me këtë, ka rënë. Dhe në momentin kur fiton ky, atëherë logjika e këtij bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film, më shumë se një herë dhe ka parë se si pasojat e këtij, janë plagë që duan vite të tëra për t’u shëruar.


Natyrisht, që kjo nuk do të thotë aspak që kush sot proteston paqësisht edhe pse janë shumë pak ata që protestojnë paqësisht, sepse dhe vajzat dhe djemtë që i bashkohen këtij, në thelb nuk duan paqe, duan përmbysje. Janë të rinj dhe të reja të ideologjizuar, të ekstremizuar nën trysninë apo nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe në SHBA, të cilën presidenti i SHBA e ka shpallur organizatë terroriste, ANTIFA. Organizatë terroriste e ka shpallur presidenti i SHBA. Kjo nuk do të thotë që vajzat dhe djemtë që mendojnë se jeta është TikTok dhe se me TikTok dhe pa lidhur dot 7 fjalë bashkë, mund ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, janë terroristë. Aspak! Janë studentë dhe studente, po patjetër. Janë nxënës dhe nxënëse, po patjetër. Por janë pengje të një fryme, të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision; shkatërro, ktheje të gjithën përmbys, rrëno gjithçka, bëje rrafsh se do ta fillojmë nga e para.


Ata që janë këtu pak më në moshe, i kanë ende kujtimet e asaj kohe, nga ku ne dolëm pas 50 vitesh iluzion se do bëhej rrafsh dhe fillonte nga e para. Kështu po, është fatkeqësi shumë e madhe. Unë do ta quaja një fatkeqësi kombëtare sot që forcat e policisë, që djemtë dhe vajzat, që burrat dhe gratë dhe mbi të gjitha, të gjithë ju nën uniformë që jeni aty për të mbrojtur shtetin, jeni jo vetëm nën sulmin e gurëve po jeni dhe nën sulmin e ekraneve.


Kjo është absolutisht rrëqethëse, pasi siç e tha ministri, kjo po ndodh në Francë, kjo po ndodh në Itali, kjo po ndodh në Portugali, kjo po ndodh në Belgjikë, kjo paralajmërohet se do të ndodhë kudo, por në asnjë nga këto vende, asnjë parti politike nuk ka dalë të mbajë anën e protestuesve; nuk ka dalë të brohorasë flakët mbi institucionet; nuk ka dalë të himnizojë dhunën, hurin, drurin, gurin e një mase kapuçionësh të zinj të maskuar, pas të cilëve nuk ka studentë; pas të cilëve nuk ka të reja dhe të rinj që duan një Shqipëri më të mirë, por ka vetëm qënie të verbra, njerëz pa shkollë, njerëz që nuk dinë as nga vijnë e as ku shkojnë, viktima të shumëçkaje, të cilët adhurojnë këtë (gurin). Adhurojnë molotovin, adhurojnë ato llastiqet me vida dhe me saçme që godasin kafkat e policëve, adhurojnë rrëmujën dhe kaosin dhe pastaj iu turren dyaneve si brumbuj që brejnë jetën, brejnë djersën, brejnë gjakun e familjeve që jetojnë me ato dyqane.


Si mund të përkrahet, si mund të himnizohet, si mund të adhurohet kjo masë, e cila ka nevojë për psikologë, e cila ka nevojë për t’u trajtuar nga shoqëria, si një masë njerëzore vajzash dhe djemsh që vijnë nga periferitë për të shkatërruar qendrën dhe që kanë brenda të gjitha keqkuptimet e mëdha të një kohe kur shohim ne ekranin e telefonit, sesi disa të tjerë e disa të tjera që jetojnë me online-in dhe bëjnë nga dhjetëra, mijëra euro pa paguar asnjë taksë, mund të hanë e të pinë e të vishen e të jëtojnë në luks. Dhe ata pastaj përdoren nga këto forca të tjera, nga ANTIFA e nga shërbime të huaja e nga armiq të Shqipërisë, dashakëqinj të Shqipërisë.


Rusia nuk është aleate e Shqipërisë. Rusia nuk është partnere e Shqipërisë. Rusia nuk është një vend që e do Shqipërinë më të mirë, që e do Shqipërinë stabël, që e do Shqipërinë me investime, që e do Shqipërinë me ekonomi, që e do Shqipërinë në BE, që i do studentët shqiptarë të barabartë me studentët e të gjithë Europës, për të cilët çdo universitet si në Tiranë, si në Varshavë, si në Bruksel apo në Paris të jetë studenti i një universiteti europian, me pasaportë europiane.


Rusia nuk i do të gjitha këto dhe nuk është aspak rastësi që “babai” ideologjik i Vladimir Vladimiroviçit atje në Kremlin, del dhe përshëndet kombin shqiptar, përshëndet “kombin shqiptar të ortodoksëve dhe të sufistëve” që më në fund po tregojnë se kush janë në të vërtetë dhe po i kundërvihen rendit demokratik europian. Nuk është rastësi. S’ka se si të jetë rastësi sepse ne e dime shumë mirë, që ditën e parë që u shfaqën flamingot, ashtu siç shumë qytetarë i solli dallga e pakënaqësisë, ishte pas saj dhe dallga e influencës ruse në të gjithë sistemin e rrjeteve sociale. Me mijëra e mijëra, dhjetëra mijëra profile false të krijuara enkas si shqiptarë që kërkonin të mbronin natyrën, u vunë në lëvizje ashtu sikundër u vunë në lëvizje me mijëra e mijëra të tjera nga Republika terroriste e Iranit për të mbrojtur natyrën në Shqipëri.


Si mund të jenë këto rastësira? Këto nuk janë rastësira, nuk ka rastësi këtu. Këtu Shqipëria është bërë pjesë e shënjestrave të një sulmi të mirë koordinuar nga një forcë e verbër, e cila tanimë siç ju thashë nga presidenti i Shtetit të Bashkuara është shpallur organizatë terroriste. Ndërkohë që e përsëris ata që janë atje në shesh patjetër që janë vajzat, janë djemtë e këtij vendi. Ne i kemi pasur mirë parasysh kur Policia e Shtetit ka qenë në maksimumin e vetëpërmbajtjes së vetë. Çfarë tjetër përveçse vetëpërmbajtjes së policisë mund të bënte që të të hidhej flaka dhe të ndizeshin flakët në një sërë institucionesh, ministri, të digjej Ministria e Arsimit. E dini ju pse shkojnë te Ministria e Arsimit, jo se janë studentë që kërkojnë më shumë, po se duan të fusin në kokën e gjithsekujt që kjo është një revoltë për arsimin. Kjo nuk është një revoltë për arsimin, se revoltat për arsimin janë ato të 2018-s, kur ishin 20 e kusur mijë studentë dhe nxënës edhe e mbani mend shumë mirë. E bllokuan Tiranë me ditë dhe me javë. I bllokuan universitetet, i bllokuan katedrat, e bllokuan mësimin, por ishin paqësor dhe kishin kërkesa për universitetin.


U desh durim, u desh qetësi, u desh kohë për të arritur, për t’u vendosur në një dialog. Dialogu u bë, u bë pakti për universitetin. Shumëçka u bë mirë. Mund të ketë gjëra që nuk janë bërë ende. Pakti për universitetin është një libër i hapur. Bujrum të vijnë të gjithë të ulemi, ta shikojmë. Po çfarë studentësh janë këta? Si mund të jenë studentë ata që admirojnë gurin? Si mund të jenë studentë ata që rrinë mbrapa atyre që hedhin gurë dhe i duartokasin kur digjet polici? Si mund të jenë studentë ata që duartrokasin djegien e bizneseve të vogla, e familjeve që e shtrojnë tavolinën e bukës me punën që bëjnë ato kioska? Si mund student ata që duartrokasin djegien e zyrave të bankave. Ata që duan trokasin shkuljen e automateve, si mund të jenë studentë? Ata që kujtojnë se brenda automatit do gjejnë një pasuri dhe në sportet e bankave do gjejnë depozitat e shqiptarëve.


Ata nuk janë studentë! S’ka si të jenë studentë edhe pse mund të jenë të regjistruar në shkollë.


Kam parë, po i kam parë dhe unë vajza dhe djem të bukur, të bukur. Ata s’janë huliganë si ata të gurit, të hurit dhe të zjarrit, por janë të ekstremizuar, janë të verbuar nga ideja se hajde ta kthejmë njëherë përmbys se pastaj do bëhet më mirë. Si do bëhet më mirë? Si mund të bëhet më mirë duke kthyer përmbys? Çfarë do kthehet përmbys? Vullneti i popullit do kthehet përmbys?

“KORÇA BOOM”


bottom of page