top of page

“Sot studentët janë liderët tanë”, 735 pedagogë dalin me kërkesa të forta pas protestave

5 hours ago
2 min read

735 pedagogë kanë firmosur deri më tani një deklaratë me pesë pika, të iniciuar nga Forumi për Dialog Politik, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie kujdestare dhe ndalimi i asaj që firmëtarët e cilësojnë si dhunë ndaj studentëve gjatë protestave.


Mes emrave që kanë mbështetur deklaratën janë figura të njohura të botës akademike dhe jetës publike, si akademikët Stefan Çapaliku dhe Ardian Ndreca, Fatos Tarifa, Zyhdi Teqja, Andri Koxhaj, Petraq Milo, Gjok Vuksani, Fatos Qerimaj, Gentian Stroni, Enkeleda Olldashi, Kozeta Bakiu, Suzana Guxholli, Areti Stringa, Voltana Ademi, Enida Bozhegu, Lutfi Dervishi dhe Arbër Rendi, anëtar i Senatit Akademik.


Në deklaratë, pedagogët shprehin tronditjen e tyre për atë që e konsiderojnë dhunë të pajustifikuar ndaj studentëve dhe shkelje të të drejtave të njeriut gjatë protestave.


Në pikën e parë, firmëtarët i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe të ndërmarrë hapa për qetësimin e situatës. Ata kërkojnë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila, sipas tyre, duhet të garantojë stabilitetin institucional, paqëtimin e vendit dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.


Pika e dytë u drejtohet Policisë dhe aktorëve të tjerë përgjegjës për ruajtjen e rendit. Pedagogët kërkojnë ndalimin e çdo akti dhune ndaj studentëve dhe u bëjnë thirrje efektivëve të refuzojnë zbatimin e urdhrave që firmëtarët i konsiderojnë të paligjshëm.


Në pikën e tretë, deklarata u drejtohet përfaqësive diplomatike në Tiranë, të cilave u kërkohet të reagojnë publikisht në mbështetje të respektimit të të drejtave të qytetarëve.


Ndërkohë, në pikën e katërt, pedagogët u bëjnë thirrje protestuesve të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private. Sipas tyre, kjo do të shmangte çdo justifikim për përdorimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestës.


Pika e pestë u drejtohet qytetarëve të Tiranës, të cilëve u kërkohet t'u bashkohen studentëve, me referencë ndaj lëvizjeve të vitit 1991, për të kundërshtuar dhunën ndaj tyre.


“Nëse ne jemi liderë në auditorët e universiteteve, sot studentët janë liderë tanë në shesh.


Bashkohuni me ne për t’i mbrojtur nga dhuna”, thuhet në përfundim të deklaratës së firmosur nga pedagogët.

“KORÇA BOOM”


bottom of page