top of page

Dhuna dhe shkeljet e ligjit, disa raste që po heton Policia e Qarkut Korçë

  • 18 hours ago
  • 1 min read

Strukturat e Hetimit të Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë kanë referuar disa materiale në Prokurori, duke çuar në nisjen e procedimeve penale për disa shtetas në qytete të ndryshme të qarkut.


Në Korçë, nisi procedimi penal për shtetasin G. S., 54 vjeç, pasi në lokalin që kishte në përdorim, gjatë kontrollit të celularit të tij, u konstatuan faqe për baste sportive. Telefoni u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Po ashtu, u procedua penalisht edhe shtetasi A. P., 41 vjeç, i cili u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje.


Ndërkohë, specialistët e Komisariatit të Policisë në Pogradec referuan materialet për një 14-vjeçare, banuese në fshatin Vërdovë. Sipas të dhënave paraprake, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ajo dyshohet se ka dëmtuar lehtë me mjet prerës (thikë) një bashkëmoshatare. Çështja po hetohet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.


Po ashtu, specialistët e Komisariatit të Policisë në Maliq nisën procedim penal ndaj shtetasit M. V., 25 vjeç, banues në Maliq, pasi dyshohet se është konfliktuar fizikisht me një 21-vjeçar, për motive të dobëta.


Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa hetimet vijojnë për secilin rast.

"KORCA BOOM"


bottom of page