Rama reagon për Vlora Hysenin/ “Lirimi nga detyra është i menjëhershëm”
Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Nju Jorku pas vendimit të GJKKO-së për vendosjen e masës “Arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra të drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Rama ka bërë të ditur se lirimi i Hysenit nga detyra do të jetë i menjëhershëm, ndërsa ka theksuar se çdo dyshim i ngritur nga organet e drejtësisë duhet të hetohet dhe të sqarohet përmes një procesi të pavarur gjyqësor.
“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye”, shkruan Rama në reagimin e tij.
Kryeministri shprehet se respekton punën e bërë nga Vlora Hyseni gjatë drejtimit të SHISH, si dhe vlerësimet që, sipas tij, ajo ka marrë nga agjencitë partnere. Megjithatë, Rama thekson se kjo nuk ndryshon qëndrimin e tij për hetimet dhe vendimet e organeve të drejtësisë.
Ai nënvizon gjithashtu se përgjegjësia penale e çdo bashkëpunëtori të tij është individuale dhe se shumica qeverisëse nuk do të ndërhyjë në çështjet që ndodhen në duart e prokurorisë dhe gjykatave.
Rama ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, hetimet ndaj personave publikë shndërrohen menjëherë në përplasje politike dhe mediatike, përpara se gjykata të shprehet përfundimisht.
Në përfundim, kryeministri ka njoftuar se pas kthimit në Tiranë do të konsultohet me Presidentin e Republikës për drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit.
“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm”, deklaroi Rama.
Vlora Hyseni është person nën hetim në kuadër të një procedimi të SPAK dhe ndaj saj është caktuar masë sigurie. Fajësia ose pafajësia e saj do të përcaktohet nga gjykata.
“KORÇA BOOM”
















