top of page

Ilir Butka e akuzoi rëndë "me retorikë harbute", regjisori Mevlan Shanaj godet me reagimin: Më thoni NJË VEPËR TË VETME që ka bërë ky person?! (DEBATI MES ARTISTËVE)

40 minutes ago
2 min read

Regjisori i njohur Mevlan Shanaj i është përgjigjur sot akuzave të kolegut Ilir Butka, drejtor i Festivalit të Filmit, i cili dje e akuzoi rëndë përmes një shënimi në rrjetet sociale. Ai i quante deklaratat e Shanaj për Festivalin e Filmit "retorikë harbute" dhe e akuzonte se nuk kishte kthyer paratë për filmat që duhet të realizonte.


Përgjigja e aktorit dhe regjisorit Mevlan Shanaj është e drejtpërdrejtë dhe përmes një pyetje retorike, ai kërkon që të publikohet një vepër e vetme e Ilir Butkës, pasi ky i fundit mban dhe titullin regjisor.


"Keni parë ndonjëherë një film të vetëm që mban emrin e z. Butka si regjisor? Cili film është ky? Më vjen ndër mend një fabul e vjetër: fuçia bosh që zhurmon me zhurmë në kalldrëm. Sot, në këtë fabul, fuçia ka edhe një emër: Ilir Butka.


Çështja që më shqetëson është shumë më e rëndësishme: çfarë ka sjellë realisht në art njeriu që vendoset në qendër të kësaj zhurme? Sepse në art mbeten veprat. Jo postet. Jo titujt. Jo konferencat. Jo deklaratat mediatike. Jo CV-të e stërzgjatura.


Dhe pikërisht këtu lind pyetja ime: Çfarë kemi realisht nga Ilir Butka si regjisor, si aktor, si producent, si krijues? Ku janë veprat? Cilët janë filmat që kanë lënë gjurmë në kinematografinë shqiptare?", shkruan ndër të tjera regjisori Mevlan Shanaj.


Ai thotë se reagimet që ka bërë në media për Festivalin Kombëtar të Filmit lidhen me standardin që duhet të ketë arti. Mirëpo, këto reagime nuk i kanë pëlqyer drejtorit Ilir Butka, i cili dje e ka sulmuar Mevlan Shanaj me një gjuhë të rëndë.


"Kam kaluar një jetë në këtë profesion. Kam punuar në film dhe televizion, kam bërë filma artistikë e dokumentarë, kam bashkëpunuar me njerëz të mëdhenj të kinemasë shqiptare dhe di shumë mirë se çfarë do të thotë të krijosh një vepër.


Prandaj kam të drejtën të pyes median që e quan regjisor këtë person. Ku jemi si shoqëri kur zhurma fillon të zëvendësojë veprën, kur postet fillojnë të zëvendësojnë autorësinë?


Ndoshta kemi një problem shumë madhor sot me kulturën e një vendi. Pse po lejojmë që një art me një histori kaq të pasur të drejtohet nga zhurma dhe jo nga vepra? Kjo është arsyeja pse sot po flas. Duhet mbrojtur minimalisht një standard", përmbyll regjisori mallakastriot, Mevlan Shanaj./ Newsbomb

“KORÇA BOOM”


bottom of page