top of page

Dhuna te Komisariati nr. 3, arrestohet një protestues dhe shpallen në kërkim 4 të tjerë

  • 4 days ago
  • 1 min read

Policia e Tiranës ka arrestuar një protestues, ka proceduar penalisht 7 persona dhe ka shpallur në kërkim 4 të tjerë, në lidhje me aktet e dhunshme të regjistruara gjatë tubimit të zhvilluar më 4 korrik 2026 pranë Komisariatit të Policisë nr. 3.


Sipas policisë, në pranga ka rënë shtetasi Erald Heqimaj, 33 vjeç, ndërsa hetimet, të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë çuar në identifikimin e 12 personave të dyshuar si të përfshirë në incidentet e ndodhura gjatë protestës.


Gjatë tubimit, protestuesit thyen xhamat e godinës së komisariatit dhe bënë thirrje për lirimin e personave të shoqëruar nga policia. Sipas autoriteteve, ndaj tyre rëndojnë disa akuza, mes të cilave "Thirrje publike për veprime të dhunshme", "Shkatërrimi i pronës", "Goditja për shkak të detyrës", "Kundërshtimi i punonjësit të Policisë", "Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të Policisë", "Prishja e rendit dhe e qetësisë publike", "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme" si dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit".


Në vijim të veprimeve procedurale, policia bëri me dije se janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit me iniciale K. M., V. K., E. L., Sh. B., V. D., E. N. dhe B. K., ndërsa katër persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Për arsye hetimore, identitetet e tyre nuk janë bërë publike.


Policia njofton se grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në aktet e dhunshme.


Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.

“KORÇA BOOM”


bottom of page