top of page

Kompletohet onkologjiku në Korçë/ Iniciativa e disa filantropëve, artistëve dhe mjekëve finalizohet me rinovimin e repartit spitalor

  • 1 hour ago
  • 1 min read

Reparti onkologjik i spitalit të Korçës tashmë është kompletuar me të gjitha pajisjet e nevojshme, falë një donacioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Një iniciativë që nisi rreth dy vite më parë nga fondacioni “Albanian Fighting Cancer” dhe që bëri bashkë filantropë, artistë, mjekë dhe shumë njerëz të tjerë u finalizua me një event të veçantë në qytetin juglindor.


Kjo ndërhyrje bën që pacientët që luftojnë me këtë sëmundje të vështirë, tashmë të trajtohen sipas standardeve më të mira amerikane. Roberta Panariti dhe Fotini Kokeri u frymëzuan nga përvojat personale dhe betejat e familjarëve të tyre me kancerin për t’iu futur kësaj kauze.


Duke bashkuar forcat, ato arritën që repartin onkologjik të Korçës ta kthejnë në një nga më të kompletuarit dhe më modernët në Shqipëri. Për stafin mjekësor, ky investim sjell një kthesë rrënjësore në cilësinë e shërbimit dhe në dinjitetin e trajtimit të pacientëve të prekur.


Ky investim rikonfirmon traditën e hershme të filantropisë që karakterizon Korçën, një rrugëtim bujarie që nisi dikur me Thoma Turtullin, i cili i dhuroi qytetit spitalin e parë. Në gjurmët e kësaj trashëgimie, Roberta Panariti prej gjashtë vitesh tashmë ofron një mbështetje të pandalshme me pajisje mjekësore, jo vetëm në Korçë, por edhe në spitale të tjera anembanë vendit.


Një mision njerëzor, të cilit përgjatë rrugëtimit i janë bashkuar edhe figura të shquara të artit si sopranoja Inva Mula dhe emra të tjerë të njohur, duke dëshmuar se kur bëhen bashkë vullneti, arti dhe solidariteti, sfidat më të vështira të shëndetësisë mund të mposhten për t’u kthyer në shpresë për jetën./ Top Channel

“KORÇA BOOM”


bottom of page