Rriten rastet me viroza në Shqipëri, konfirmohet qarkullimi i gripit A(H1N1)
Në Shqipëri ka nisur qarkullimi i virusit të gripit A(H1N1), ndërsa paralelisht vijon prania e COVID-19. Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka konfirmuar rastet e para me grip sezonal, në një periudhë kur numri i qytetarëve që preken nga infeksionet respiratore po rritet.
Sipas të dhënave të ISHP-së, çdo javë raportohen rreth 11 mijë raste me infeksione të rrugëve të sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes.
Qarkullimi i virozave ka shtuar edhe interesin e qytetarëve për vaksinimin kundër gripit sezonal. Deri tani është tërhequr mbi 51% e 280 mijë dozave të vaksinës që autoritetet shëndetësore kanë siguruar për këtë sezon.
Gripi dhe COVID-19 po qarkullojnë njëkohësisht edhe në vendet europiane. Sipas të dhënave të paraqitura në raportim, në disa vende të Europës infeksionet nga SARS-CoV-2 zënë një pjesë më të madhe të rasteve të evidentuara.
Autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin e situatës epidemiologjike, ndërsa rritja e rasteve me infeksione respiratore shënon fillimin e një periudhe me qarkullim më të lartë të viruseve sezonale.
“KORÇA BOOM”
















