top of page

Dinamo “flak” Laçin dhe i vihet pas Teutës, ‘Blutë’ ndezin garën për titull

19 hours ago
1 min read

Dinamo vazhdon marshimin në Abissnet Superiore. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja triumfoi 3-1 ndaj Laçit këtë të shtunë, duke marrë tri pikë të rëndësishme në garën për kreun e kampionatit.


Sfida në “Selman Stërmasi” nisi me ritëm dhe golat nuk vonuan. Dinamo zhbllokoi rezultatin në minutën e 22-të, kur Lorran hyri bukur në zonë dhe me një goditje të saktë mposhti portierin e Laçit.


Avantazhi i kryeqytetasve zgjati vetëm tre minuta. Në të 25-ën, Gamarra mori përsipër aksionin dhe me një goditje nga jashtë zone e dërgoi topin në rrjetë, duke rikthyer baraspeshën në 1-1.


Megjithatë, Gamarra u kthye në protagonist negativ për Laçin. Në fundin e pjesës së parë, futbollisti u ndëshkua me karton të kuq si lojtar i fundit, duke lënë kurbinasit me 10 lojtarë.


Pjesa e dytë foli më shumë për Dinamon. Kryeqytetasit shfrytëzuan menjëherë avantazhin numerik dhe në fillimin e pjesës së dytë dyfishuan shifrat. Vilan mposhti portierin Guri dhe i dha Dinamos epërsinë 2-1.


Laçi tentoi të reagonte, por Dinamo administroi avantazhin dhe në minutat shtesë vulosi gjithçka. Flamur Ruci realizoi golin e tretë, duke fiksuar rezultatin përfundimtar në 3-1.


Me këtë sukses, Dinamo ngjitet në kuotën e 12 pikëve dhe mban vendin e dytë, vetëm një pikë larg Teutës kryesuese. Një fitore që i jep skuadrës së Ilir Dajës besim të madh për vazhdimin e garës.

“KORÇA BOOM”


bottom of page