“Të gjitha gabimet ishin për shkak të fushës”, Ahmataj tregon çfarë nuk shkoi
Vora dhe Skënderbeu barazuan 1-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e pestë të “Abissnet Superiore”. Pas sfidës së zhvilluar në Vorë, trajneri i Skënderbeut, Julian Ahmataj, analizoi paraqitjen e skuadrës së tij dhe foli për ndikimin që pati terreni në lojën e korçarëve.
Ahmataj pranoi se Skënderbeu nuk zhvilloi ndeshjen më të mirë, duke theksuar se ndryshimi i terrenit nga fusha me bar sintetik ku skuadra stërvitet, në fushën e Vorës, ndikoi në gabimet e lojtarëve.
“Është e vërtetë, nuk është se bëmë ndeshjen më të mirë. Ndikoi shumë terreni. Stërvitemi në fushë me bar sintetik dhe ndryshimi i terrenit do të ishte problem. Po ta shikoni, të gjitha gabimet ishin për shkak të fushës. Stabilizohemi deri diku, por dihet që problemi ynë ishte ky”, u shpreh Ahmataj.
Trajneri korçar u ndal edhe te minutat e fundit të pjesës së parë, kur Skënderbeu nisi të krijonte më shumë aksione dhe të shfaqej më rrezikshëm në sulm.
“Po t’i rikthehemi ndeshjes, në 5 minutat e fundit të pjesës së parë ndërtuam aksione që mund t’i kishim bërë që nga fillimi. Ndikimin mund t’ia vë fushës dhe atmosferës që ishte pak e zjarrtë. Kjo është ajo që donim të ndërtonim, nuk i shfrytëzuam sa duhet hapësirat që do t’u shërbenin wingerave”, deklaroi ai.
Sa i përket strategjisë së ndjekur, Ahmataj theksoi nevojën për ekuilibër mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese.
“Kishim mundësi që, pa u rrezikuar, të mos i ngrinim mbrojtësit e krahut lart dhe të rrezikonim më shumë. Duhet të kishim ekuilibër”, përfundoi trajneri i Skënderbeut.
“KORÇA BOOM”
















