“Doni njëri-tjetrin”, Kryepiskopi Joani surprizon me mesazhin e tij në ditën e emrit
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka kremtuar këtë të shtunë, më 26 shtator, ditën e emrit të Fortlumturisë së Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
Në të kremten e Jetëndërrimit të Ungjillorit Joan, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u zhvilluan shërbesa të shenjta panigjirike, të drejtuara nga Kryepiskopi Joani, në bashkëmeshim me të gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë.
Në kremtim morën pjesë klerikë nga të gjitha Mitropolitë e vendit, ndërsa qindra besimtarë nga Shqipëria dhe jashtë saj iu bashkuan shërbesës.
Në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, Mitropoliti i Fierit, Hirësi Nikolla, në emër të Sinodit të Shenjtë, klerikëve dhe besimtarëve, i përcolli Kryepiskopit Joani urimet për jetë të gjatë, shëndet dhe hir në drejtimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në fjalën e tij, Kryepiskopi Joani falënderoi anëtarët e Sinodit të Shenjtë, klerikët dhe besimtarët për praninë dhe urimet. Ai vuri në qendër të mesazhit të tij dashurinë për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin, duke sjellë në vëmendje mësimin e Shën Joanit: “Doni njëri-tjetrin, dhe kjo mjafton”.
Kryepiskopi falënderoi gjithashtu atë Theonain nga Mali i Shenjtë për pjesëmarrjen në këtë kremtim.
Ceremonia u përmbyll me një pritje të organizuar në sallën pranë Katedrales “Ngjallja e Krishtit”. Në të morën pjesë besimtarë të moshave të ndryshme, fëmijë, nxënës, përfaqësues të Trupit Diplomatik, akademikë, politikanë, deputetë, mjekë, artistë, studiues dhe përfaqësues të medias.
Të pranishmit i përcollën Kryepiskopit Joani urimet për shumë vite, shëndet dhe hir në drejtimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
“KORÇA BOOM”
















