top of page

DRILONI, DESTINACIONI I VERËS/ Mbi 24 mijë turistë kanë vizituar parkun gjatë këtij viti

  • 1 day ago
  • 2 min read

Driloni në Pogradec po përjeton një sezon të mbarë turistik, me mbi 24 mijë vizitorë të regjistruar nga janari deri në fund të korrikut.


Fluksi i turistëve është rritur me 19.4 për qind krahasuar me një vit më parë, ndërsa muajt qershor dhe korrik kanë shënuar numrin më të lartë të vizitave. Hapja e Qendrës së Vizitorëve pritet ta forcojnë më tej rolin e Drilonit si një nga destinacionet kryesore të juglindjes.


Mes gjelbërimit, burimeve me ujë të kristaltë dhe qetësisë së Liqenit të Ohrit, Driloni vijon të jetë një nga destinacionet më të preferuara të turistëve gjatë sezonit veror.


Çdo ditë, qindra vizitorë vendas dhe të huaj zgjedhin parkun për të shijuar peizazhin, shëtitjet pranë ujit dhe lundrimin me varkë në kanalet natyrore. Driloni, i njohur nga pogradecarët edhe si Voloreka, ndodhet rreth 6 kilometra larg Pogradecit.


Nga janari deri në fund të korrikut, parkun e kanë vizituar 24 mijë e 131 persona, një shifër që përfaqëson një rritje prej 19.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fluksi më i madh është regjistruar gjatë muajve qershor dhe korrik.


Rritja e numrit të vizitorëve është shoqëruar edhe me investime në infrastrukturë.

Në park janë ndërtuar rreth 4 mijë metra rrugica për këmbësorët, ndërsa janë zgjeruar hapësirat e gjelbra dhe janë përmirësuar shëtitoret, urat dhe korsitë e biçikletave.


Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është Qendra e Vizitorëve, e cila ndodhet në hyrje të Drilonit dhe pritet të jetë e aksesueshme për turistët në muajin tetor.


Qendra do të prezantojë florën, faunën, traditat, vlerat kulturore dhe trashëgiminë arkeologjike të rajonit përmes ekspozimeve dhe pajisjeve teknologjike.


Për turistët, Driloni ofron një kombinim të natyrës dhe aktiviteteve të ndryshme. Krahas lundrimit me varkë, vizitorët mund të fotografojnë mjellmat dhe shpendët e tjerë, të shijojnë gatimet tradicionale në restorantet pranë liqenit dhe të eksplorojnë zonat përreth.


Pozicioni pranë Liqenit të Ohrit, Tushemishtit dhe Shën Naumit e bën Drilonin një pikë të rëndësishme në itineraret turistike të juglindjes./ Oranews

“KORÇA BOOM”


bottom of page