top of page

Dy versionet e renditjes së klubeve të Kategorisë së Parë/ Skënderbeu, skuadra që dominon si brenda dhe në transferta

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Jan 1
  • 2 min read

Pas përfundimit të 17 javëve të para të Kate gorisë së Parë, një vështrim i veçantë mbi renditjen duke llogaritur vetëm ndeshjet e luajtura në shtëpi nxjerr në pah qartë se sa vendimtare ka qenë fusha për shumë skuadra.


Disa ekipe kanë ndërtuar thuajse të gjithë rrugëtimin e tyre pozitiv para tifozëve të vet, ndërsa të tjerë kanë zhgënjyer edhe në ambientin e tyre. Në krye të kësaj renditjeje qëndron Skënderbeu, i cili ka shfrytëzuar maksimalisht stadiumin e vet. Korçarët kanë zhvilluar 8 ndeshje në shtëpi, duke fituar 7 prej tyre dhe duke pësuar vetëm një humbje. Me 21 pikë dhe golavarazh 18-7, Skënderbeu konfirmohet si skuadra më solide në ndeshjet shtëpiake.


Menjëherë pas tij renditet Kastrioti, një tjetër ekip që ka bërë diferencën në shtëpi. Krutanët janë ende të pamposhtur në 9 takime, me 5 fitore dhe 4 barazime, duke grumbulluar 19 pikë dhe duke treguar stabilitet të admirueshëm para tifozëve të vet. Në vendin e tretë pozicionohet Laçi, me 18 pikë në 8 ndeshje shtëpiake, falë 5 fitoreve, 3 barazimeve dhe vetëm një humbjeje. Kurbinasit vijojnë të mbeten një skuadër e vështirë për t’u mposhtur në stadiumin e tyre. Besa dhe Pogradeci ndjekin më pas, me rendiment të mirë në shtëpi.


Kavajasit kanë marrë 16 pikë në 9 ndeshje, ndërsa Pogradeci 14 pikë në 8 takime, duke ruajtur një ekuilibër mes fazës sulmuese dhe asaj mbrojtëse. Në mesin e tabelës pozicionohen Burreli, Iliria dhe Korabi, skuadra që kanë marrë pikë të rëndësishme në shtëpi, por pa arritur të krijojnë një diferencë të madhe. Të trija kanë treguar luhatje në rezultate, çka reflektohet edhe në renditje. Në pjesën e poshtme të tabelës, situata bëhet më shqetësuese për disa ekipe. Apolonia dhe Lushnja nuk kanë arritur ta shfrytëzojnë sa duhet avantazhin e fushës.


Verdhejeshilët e Lushnjës, në veçanti, kanë grumbulluar vetëm 9 pikë në 8 ndeshje shtëpiake, një shifër e ulët për një skuadër me ambicie më të mëdha. Akoma më problematike paraqitet gjendja e Kukësit dhe sidomos e Luftëtarit, që mbyll renditjen e ndeshjeve në shtëpi me vetëm 3 pikë në 9 takime, pa asnjë fitore. Një bilanc që shpjegon qartë vështirësitë e gjirokastritëve në këtë sezon. Kjo renditje tregon qartë se, pas 17 javësh, fusha vazhdon të mbetet një faktor kyç në Kategorinë e Parë. Për disa skuadra ajo ka qenë një armë e fortë, ndërsa për të tjera një avantazh i shpërdoruar, që mund të peshojë shumë në garën për objektivat sezonale në javët që vijnë./ Panorama Sport

“KORÇA BOOM”


bottom of page