8 të arrestuar për arratisjen e Altin Ndocit, njëri prej efektivëve i pandehur nga SPAK, i dha telefonin Veliajt për të komunikuar me...
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 3 min read
Tetë persona u vunë në pranga në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit një ditë më parë (13 janar) nga spitali i Durrësit. Mes tyre është edhe një efektiv i policisë së Burgjeve, shtetasi Fatjon Baçi. Ky i fundit është i pandehur nga SPAK pasi i dha telefonin celular Erion Veliajt për të komunikuar me familjarët e tij gjatë kohës kur ai transportohej nga burgu për në ambientet e GJKKO.
Emrat e të arrestuarve
-Aulon Çuko- Kryeinfermieri
-Desdemon Pazaj, zëvendës shefi i policisë
-Pesë policët e shoqërimit: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi, Aranit Çela
-Violeta Uka
PAMJET FILMIKE
Pamjet filmike tregojnë qartë se Ndoci zbret nga ambulanca i lirë, pa pranga, dhe më pas shoqërohet drejt godinës së spitalit nga efektivët.
Fakti që ai ndodhej pa masa sigurie fizike bie në kundërshti me rregulloren, pasi për shkak të rrezikshmërisë së tij, Ndoci duhej të ishte i prangosur gjatë gjithë kohës së shoqërimit.
Po ashtu, janë publikuar edhe pamjet që tregojnë momentin kur Altin Ndoci largohet me vrap nga ambientet e Spitalit të Durrësit, duke iu shmangur rojeve të sigurisë.
Në video, ai shihet duke vrapuar mes automjeteve në parkimin e spitalit dhe më pas zhduket pas një ndërtese, ku dyshohet se e priste një automjet tip “Audi”, me të cilin u arratis.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme kur Altin Ndoci, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshi vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, u arratis ndërsa shoqërohej për një vizitë mjekësore në spitalin e Durrësit.
Ai dyshohet se ka kërkuar të shkojë në tualet, ku ka shfrytëzuar rastin për t’u arratisur. Mësohet se Ndoci ka goditur edhe një efektiv dhe me pas është larguar me vrap. Me pas ai ka hipur ne një automjet “Audi” dhe është larguar.
“I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Altin Ndoci po gjykohet për një sërë veprash penale të rënda dhe në dosje të ndryshme. Së fundmi, ai u dërgua për gjykim nga SPAK në tetor 2025, si pjesë e organizatës kriminale për të cilën akuzohen vëllezërit Çopja.
I arrestuar prej vitit 2020, Ndoci është identifikuar nga të penduar të drejtësisë si pjesëmarrës në disa atentate në luftën mes grupeve kriminale në vend.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk i sqaroi rrethanat e arratisjes. Ajo bëri me dije se Ndoci ishte shoqëruar në spital nga strukturat e burgjeve dhe se arratisja ka ndodhur brenda godinës së përshtatur për trajtimin e të burgosurve. “Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit”, thuhet në njoftimin e DPB.
Altin Ndoci i dyshuar për 4 vrasje
Altin Ndoci u arrestua në korrik 2020 gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, si i dyshuar për vrasjen e 4 personave, fillimisht dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë 2020 Anxhelo Avdija dhe Dorian Shkozën.
Por me 2 prill 2024, Gjykata e Posaçme pushoi të gjitha akuzat ndaj Altin Ndocit, përfshirë edhe dyshimi për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdija, duke e shpallur të pafajshëm atë. Ishin dëshmitë e të arrestuarit, Klevis Alla, i cili e përfshiu Altin Ndocin në këto 4 vrasje por Gjykata e Posaçme nuk u bind nga këto dëshmi ç’ka bëri që të marrë pafajësinë.
Nga ana tjetër, për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia, Gjykata e posaçme dënoi me 25 vite burg Klevis Allën. Megjithëse Altin Ndoci fitoi pafajësinë në vitin 2024 ai nuk mundi të dalë nga burgu, pasi SPAK ka ngritur akuza të tjera kundër tij, pas dëshmive të Nuredin Dumanit, i cili e përfshin në disa ngjarje të rënda.
Në dëshmitë e dhëna në SPAK nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, Klevis Alla dyshohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Gjithashtu Ndoci mbahej në burg edhe për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”./ LAJMI FUNDIT
“KORÇA BOOM”



















