REKORDI/ 21 arbitra dhe asistentë me stemë FIFA! Duka: Të gjithë bashkë mund të kontribuojmë në rritjen e futbollit
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 3 min read
U zhvillua ditën e sotme ceremonia e dorëzimit të stemave të FIFA-s për vitin 2026 për arbitrat djem dhe vajza të futbollit shqiptar.
Ky ishte një aktivitet me rëndësi historike, pasi për herë të parë futbolli shqiptar përfaqësohet në arenën ndërkombëtare me 21 arbitra dhe asistentë, numri më i madh në historinë e arbitrimit shqiptar.
Gjashtë arbitra janë certifikuar me stemën FIFA për vitin 2026: Enea Jorgji, Juxhin Xhaja, Eldorjan Hamiti, Florjan Lata, Emanuela Rusta dhe Eglantina Pjetrushaj. Gjithashtu, me stemën FIFA në VAR është certifikuar Kreshnik Barjamaj.
Asistentët me stemë FIFA janë Denis Rexha, Ridiger Cokaj, Ilir Tartaraj, Rejdi Avdo, Arbër Zalla, Erind Burgu, Marjus Qose, Edjena Kapxhiu, Koleta Prenga dhe Mirjeta Sella. Për herë të parë stemën e FIFA-s si asistentë e kanë marrë Marjo Shazivari dhe Jena Mala.
Futbolli shqiptar përfaqësohet gjithashtu edhe në futsall me dy arbitra FIFA. Pas Arlind Subashit, këtë sezon stemën e FIFA-s e ka fituar edhe Albano Stolaj.
Në këtë aktivitet, të organizuar nga BASHF dhe Sektori i Arbitrimit, ishin të pranishëm Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, shefi i Sektorit të Arbitrimit, Sokol Jareci, Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati dhe Sekretari i Përgjithshëm i BASHF, Klajdi Kola.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, vlerësoi marrjen e stemës së FIFA-s nga arbitrat shqiptarë si një vlerësim për punën dhe kontributin e tyre shumëvjeçar, duke theksuar se ky sukses nuk është vetëm individual, por edhe një përfaqësim i gjithë trupës arbitrale dhe i futbollit shqiptar.
Presidenti Duka theksoi rëndësinë që arbitrat me stemë FIFA të përfaqësojnë vendin me dinjitet në arenën ndërkombëtare, të jenë korrektë dhe konsistentë në vendimet e tyre dhe të shërbejnë si shembull pozitiv në të gjitha nivelet e futbollit, veçanërisht te të rinjtë.
“Dita e sotme është e veçantë për ata që do të marrin stemën e FIFA-s. Është një vlerësim i punës dhe kontributit të tyre shumëvjeçar, i kualitetit dhe i asaj se çfarë kanë dhënë për futbollin shqiptar. Unë dua t’i përgëzoj sinqerisht ata që e kanë arritur. Vërtet është kontribut individual, por edhe i gjithë arbitrave që kanë nxjerrë një klasë arbitrare në arenën ndërkombëtare, në numrin më të madh në historinë e futbollit shqiptar.
Është titull individual, por unë do ta konsideroja edhe si një përfaqësim i futbollit tonë dhe unë kërkoj shumë që ju që keni stemat, që i mbani ose i merrni për herë të parë stemën për të përfaqësuar futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare, ta përfaqësoni futbollin tonë me dinjitet, ta rrisni imazhin e futbollit tonë, të jeni vërtet ashtu siç e keni merituar në kampionatin kombëtar, ta meritoni edhe atje, të jeni korrektë dhe konsistentë në vendimet tuaja në fushën e lojës.
Kjo është një gjë shumë e rëndësishme sepse të gjithë bashkë ne mund të kontribuojmë në rritjen e futbollit, në përmirësimin e perceptimit për futbollin tonë dhe kjo nuk është thjesht për të pasur një titull apo një lëvdatë, por sepse bëheni shembull pozitiv për të pasur më shumë arbitra, më shumë futboll në Shqipëri.
I uroj shumë suksese atyre që vazhdojnë dhe mbajnë stemën dhe, duke qenë se jemi në një takim, përfitoj nga rasti për të thënë një mesazh që ne duhet të jemi korrektë dhe i gjithë trupi arbitrar të jetë shembull edhe në kampionatin kombëtar dhe në të gjitha kampionatet.
Ajo që unë dua të theksoj për ju, për shembullin që duhet të jepni dhe atë që duhet të përcillni te të rinjtë apo të tjerët, është që ne duhet të jemi njëlloj, konsistentë, korrektë dhe me respekt maksimal në të gjitha nivelet e ndeshjeve të futbollit, sidomos te të rinjtë”, – tha Presidenti Duka.
“KORÇA BOOM”



















