Policia e Korçës me disa ndërhyrje brenda 24 orëve, arrest në shtëpi për drogë, arrestime në flagrancë dhe procedime penale
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 2 min read
Strukturat e Policisë në qarkun e Korçës kanë kryer një sërë veprimesh ligjore gjatë 24 orëve të fundit, duke zbatuar masa sigurie, arrestime në flagrancë dhe procedime penale për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” ndaj shtetasit R. B., 43 vjeç, banues në Pogradec, masë e caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ndërkohë, shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin R. B., 49 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal ndaj shtetasit S. G., 22 vjeç, banues në Pogradec, pasi u kap duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Kapshticë, gjatë kontrolleve të shtuara të kryera në bazë të analizës së riskut, konstatuan një rast të paligjshmërisë në kufi. Në dalje të Republikës së Shqipërisë, gjatë kontrollit të automjetit të shtetasit grek E. K., 30 vjeç, banues në Greqi, u gjet dhe u sekuestrua në një valixhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve, materialet iu referuan Prokurorisë dhe nisi procedimi penal ndaj këtij shtetasi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal ndaj shtetasit K. Sh., 30 vjeç, banues në Bilisht, pasi dyshohet se, në gjendje të dehur, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për dhënien e dokumentit të identifikimit dhe ka prishur qetësinë publike.
Po ashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasit K. B., 29 vjeç, banues në fshatin Pirg, Maliq, pasi dyshohet se ka marrë një shumë parash nga shtetasi P. R., duke e mashtruar.
Të gjitha materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 10.01.2026, për largimin nga banesa të shtetases E. R., 49 vjeçe, banuese në Pogradec, Policia bën me dije se kjo shtetase është gjetur dhe është kthyer në banesën e saj.
"KORCA BOOM"


















