E FUNDIT/ Skënderbeu U-19 në Europë: Cila do të jetë sfida e parë historike... Ja kur hidhet shorti!
- Korca Boom
- 18 hours ago
- 1 min read
Skuadra U-19 e Skënderbeut, e cila sezonin e kaluar u shpall kampione në Shqipëri, është në pritje të hedhjes së shortit për garat europiane ku do të marrë pjesë për herë të parë pas këtij suksesi historik. Ky është një moment i rëndësishëm për të rinjtë korçarë, që synojnë të përfaqësojnë denjësisht klubin dhe qytetin në arenën ndërkombëtare.
Pavarësisht se deri tani nuk është zbuluar emri i kundërshtarit që do të ketë përballë Skënderbeu U-19, drejtuesit e akademisë janë të përgatitur për çdo skenar. Sipas drejtorit të akademisë, Enea Zhidro, është konfirmuar se shorti do të hidhet më datën 2 shtator. Kjo do të shënojë fillimin zyrtar të një aventure europiane për të cilën ekipi është duke u përgatitur me seriozitet dhe ambicie.
Deri atëherë, të rinjtë e Skënderbeut do të vazhdojnë stërvitjet dhe përgatitjet për të qenë gati për përballjen që do t'u sjellë kompeticioni i UEFA Youth League, aty ku shpresojnë të lënë gjurmë dhe të tregojnë vlerat e shkollës futbollistike korçare.
Kjo pjesëmarrje është një shpërblim për punën e palodhur të klubit dhe një motivim i madh për të rinjtë që synojnë të ngjiten në ekipin e parë dhe më tej në nivele më të larta të futbollit.
“KORÇA BOOM”
