Trishtim në sportin shqiptar, mbyll sytë përgjithmonë një nga ikonat e volejbollit të dikurshëm
- 2 hours ago
- 1 min read
Volejbolli shqiptar dhe ai i Dinamos është në zi. Në moshën 72-vjeçare është ndarë nga jeta një nga figurat e njohura të këtij sporti, ish-volejbollistja e shquar Fatmira Dreni.
E njohur për talentin dhe shpirtin garues, ajo ishte ndër emrat që kontribuan në ngritjen e volejbollit shqiptar, duke qenë pjesë e brezit që shkroi historinë e skuadrës së madhe të Dinamos. Për rreth një dekadë, veçanërisht gjatë viteve ’70-’80, Dreni spikati në parket, ku shpesh mbante fanellën me numrin 10 dhe u shqua për lojën e saj teknike dhe karakterin e fortë sportiv.
Së bashku me motrën e saj Donika Muka, kapitenen e parë të Dinamos së madhe, ato krijuan një binom të veçantë në volejbollin shqiptar. Nën drejtimin e trajnerit Tartari, dy motrat dhanë kontribut të rëndësishëm në rezultatet historike të skuadrës, duke u kthyer në emra të dashur për sportdashësit.
Edhe pse angazhimet familjare e larguan relativisht herët nga parketi, emri i saj mbeti i stampuar në kujtesën e sportit shqiptar. Përveç karrierës sportive, Fatmira Dreni u dallua edhe në profesionin e saj si mjeke stomatologe, ku u vlerësua për përkushtimin dhe profesionalizmin.
Ndarja e saj nga jeta ka lënë pas një boshllëk të madh tek familjarët, miqtë dhe komuniteti sportiv. Sportdashësit dhe ish-bashkëlojtarët e kujtojnë sot me respekt dhe mirënjohje për kontributin e saj në volejbollin shqiptar.
U prehtë në paqe. Kujtimi dhe kontributi i saj në sport nuk do të harrohen kurrë. 🕊️
"KORCA BOOM"
















