E q*ëlloi në lokal dhe u zhduk: I p*lagosuri pretendon se nuk e njeh autorin
- 2 hours ago
- 1 min read
Një shtetas turk ka mbetur i plagosur mbrëmjen e djeshme në një lokal në zonën e Sauku i Vjetër. I plagosuri është 36-vjeçari Halil Uçar, i cili sipas policisë është qëlluar me armë zjarri nga një bashkëkombës i tij.
I marrë në pyetje nga hetuesit, 36-vjeçari nuk është treguar bashkëpunues me policinë. Ai ka pretenduar se nuk e njeh autorin e ngjarjes dhe se nuk ka pasur asnjë konflikt me të.
Sipas hetimeve paraprake, policia ka arritur të zbardhë dinamikën e ngjarjes. Autori dhe i plagosuri ndodheshin në tavolina të ndara, në kate të ndryshme të lokalit. Autori, gjithashtu shtetas turk dhe ende i paidentifikuar me emër, pasi ka konsumuar darkën në katin e parë, është ngjitur në katin e dytë ku ndodhej Uçar dhe ka qëlluar në drejtim të tij, duke e plagosur me një plumb në shpatull.
Menjëherë pas ngjarjes, autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Policia ka siguruar disa pamje nga kamerat e sigurisë dhe po punon për krijimin e identikitit të autorit me qëllim identifikimin dhe kapjen e tij. Në vendngjarje dhe në tavolinën ku ai kishte konsumuar darkën janë gjetur edhe materiale gjenetike që mund të ndihmojnë në identifikimin e tij.
Ndërkohë, përmes Interpol po bashkëpunohet me autoritetet në Turqi për të sqaruar identitetin e autorit dhe për të verifikuar nëse mes tyre ka pasur konflikte të mëparshme. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që ngjarja të lidhet me një hakmarrje të mundshme për probleme të vjetra mes tyre në Turqi.
"KORCA BOOM"
















