Ekskluzive :"Sporti është në kolaps", letra e fortë e Artan Shytit për Edi Ramën
- 1 hour ago
- 3 min read
EDI RAMËS – Letër një miku
Nga Prof. Dr. Artan Shyti
I nderuar Kryeministër!
Kemi vite pa komunikuar, por me kujtimet e atij bashkëpunimi të dikurshëm vazhdoj të të quaj, në planin personal, mik.
Po të shkruaj publikisht, i nxitur nga reflektimet e tua mbi situatën aktuale dhe nevojën për ndryshime në qeverisje. Unë e kam më të lehtë të flas për sportin dhe jam i bindur se pikërisht aty duhet të ndryshosh shumë, më shumë sesa mund ta imagjinosh.
Ke 13 vite në drejtimin e vendit dhe sporti ka qenë e mbetet një nga sektorët më problematikë. Lëri mënjanë ata që të thonë se është bërë progres dhe se sporti është zhvilluar.
E vërteta është më e thjeshtë: po, ke treguar më shumë vëmendje se qeveritë e mëparshme dhe ke akorduar më shumë fonde, por ke bërë dy gabime të mëdha.
Së pari, këto para janë orientuar në drejtimin e gabuar.
Së dyti, drejtimin e strukturës shtetërore të sportit e ke lënë në duar të gabuara.
Nga bashkëpunimi ynë i dikurshëm e mbaj mend se ke një besim të madh te njerëzit që zgjedh për të drejtuar. Besimi është i drejtë. Verbëria ndaj rezultateve është gabim.
Njerëzit që kanë drejtuar sportin gjatë këtyre viteve kanë dështuar ta zhvillojnë këtë sektor. Nuk besoj se e kanë bërë me qëllim, por paaftësia e tyre ka prodhuar pasoja të rënda. Megjithatë, kjo nuk duket se ka sjellë ndonjë analizë serioze për atë çfarë është bërë, çfarë nuk është bërë dhe pse.
Pavarësisht dëshirës suaj për ta mbështetur sportin, mungesa e analizës është reflektuar në vendimmarrje të gabuara, si në aspektin konceptual, ashtu edhe në funksionimin e përditshëm të institucioneve sportive.
Në fakt, shtysa për këtë letër ishte deklarata juaj se qytetarët nuk mjaftohen me ndryshimet, por i gjykojnë ato sipas pritshmërive që kanë ndaj qeverisjes.
Fatkeqësisht, në sport edhe ndryshimet janë minimale, ndërsa pritshmëritë janë shumë të mëdha.
Njerëzit e sportit janë, në shumicë, të pakënaqur. Jo sepse mungojnë fondet, por sepse ato, sipas tyre, nuk shkojnë aty ku duhet. Shpesh ato përdoren për interesa personale të individëve që kanë përfituar nga besimi juaj. Ndërkohë, sporti vazhdon të mbetet në krizë.
Kur them sporti, kam parasysh federatat sportive shqiptare, të cilat sot përballen me vështirësi serioze. Mjafton një fakt: ato marrin pothuajse gjysmën e fondeve që merrnin në vitin 2000, kur ju ishit ministër i Sportit.
Lista e fondeve, investimeve dhe projekteve që, sipas shumë njerëzve të sportit, nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme është e gjatë. Po aq e gjatë është edhe lista e reformave që duhen ndërmarrë.
Nuk dua të zgjatem më shumë.
Po e mbyll këtë letër duke të thënë se, nëse ka një fushë ku reflektimi duhet të jetë i thellë, drastik dhe gjithëpërfshirës, ajo është sporti.
Ndoshta nuk është sektori më i rëndësishëm për qeverinë, por është jashtëzakonisht i rëndësishëm për mijëra sportistë, trajnerë, drejtues klubesh dhe prindër që jetojnë çdo ditë me të.
Dëmet e shkaktuara ndër vite janë të mëdha dhe nuk e di nëse mund të riparohen plotësisht, edhe nëse vendos të merresh seriozisht me këtë sektor.
Kam dyshimet e mia se kjo do të ndodhë, nëse do të vazhdosh t'u referohesh të njëjtëve individë, të cilët e përdorin afërsinë me pushtetin për të krijuar më shumë rrëmujë sesa zhvillim në sport.
Sidoqoftë, pas kësaj letre, të paktën do ta kem ndërgjegjen e qetë.
Siç thoshin latinët:
“Dixi et salvavi animam meam.”
(E thashë dhe shpëtova shpirtin tim.)
“KORÇA BOOM”
















