top of page

Nga Brendon Salih: Mos e gjykoni Skënderbeun, skuadra është ende në fazën e ndërtimit

  • 1 day ago
  • 3 min read

KF Skënderbeu i sezonit të ri 2026-2027 zbarkoi në Korçë më 1 korrik për të nisur fazën përgatitore, e cila tashmë ka përmbyllur tre javët e para, ndërsa jemi në ditët e fundit të muajit korrik. Prezantimi i trajnerit të ri Julian Ahmataj dhe zëvendësit të tij Çapja, konfirmimi i pjesës tjetër të stafit teknik, si edhe i një pjese të lojtarëve që mbyllën sezonin e kaluar në Kategorinë e Parë, së bashku me afrimet e para në merkato, ngjallën natyrshëm interesin e opinionit publik, medias dhe tifozërisë korçare, brenda dhe jashtë vendit.


Deri tani, merkatoja e Skënderbeut ka qenë mjaft aktive, si në dalje, ashtu edhe në hyrje. Nga skuadra e sezonit të kaluar u larguan Ramos, Dumfur, Gjumsi, Beshiraj, Gjata, Çuçka, Gjini, Tayo, Aarflot, si edhe Nikaj, i cili fillimisht u largua drejt Polonisë dhe më pas u transferua te Elbasani. Mbetet ende për t'u zgjidhur edhe çështja e Estrelës, i cili ka kontratë me klubin dhe pritet të shihet nëse do të arrihet një marrëveshje për ndërprerjen e bashkëpunimit.


Në të njëjtën kohë, disa lojtarë të rinj të akademisë si portieri Amarildo Dervishaj, Jetmir Laze, Fidel Korçari dhe Ruendi Zaçellari iu bashkuan në formë huazimi Mejdanit dhe Lamellarit te Kukësi në Kategorinë e Parë. Të gjithë këta futbollistë zhvilluan një sezon pozitiv, duke fituar minutat e nevojshme dhe një përvojë të vlefshme në futbollin shqiptar. Duket se trajneri Bledi Kadiu dhe drejtuesit e Kukësit kanë gjetur gjuhën e përbashkët me Skënderbeun për ta vijuar këtë bashkëpunim në interes të të dy klubeve.


Nga ana tjetër, drejtuesit kanë afruar emra të rinj, të cilët synojnë të rrisin cilësinë dhe konkurrencën në skuadër. Bëhet fjalë për Lleshin, Seydou, Lagonidhis, Braga, Drame, Jahiji, Diallo, Veliçkovskin, si edhe rikthimin e Bismarkut pas huazimit te Vllaznia. Gjithashtu pritet që këtë sezon të marrin më shumë hapësira edhe 4-5 futbollistë të rinj vendas, si Shkëmbi, Grazhdani dhe të tjerë, të favorizuar edhe nga ndryshimet e rregullores së FSHF-së për aktivizimin e lojtarëve U-19. Klubi vijon të jetë aktiv në merkato dhe pritet të afrojë edhe 2-3 lojtarë të tjerë, kryesisht në repartin ofensiv dhe në krahun e djathtë të mbrojtjes.


Dy miqësoret e para, ndaj FC Strugës dhe Partizanit, dy kundërshtarë me emër, kanë dhënë një panoramë të parë për gjendjen e skuadrës dhe nivelin e afrimeve të reja. Duhet theksuar se golashënuesi i sezonit të kaluar, Nasr, për arsye burokratike që lidhen me rinovimin e vizës, nuk është bashkuar ende me grupin, ndërsa qendërmbrojtësi francez Seydou nuk ka debutuar për shkak të një dëmtimi në stërvitje. Megjithatë, ai pritet të rikthehet gjatë kësaj jave dhe të jetë në dispozicion për miqësoret ndaj Besës dhe Pogradecit.


Përtej rezultateve 0-1 dhe 2-0, të cilat në këtë fazë nuk kanë rëndësi parësore, disa nga afrimet e reja kanë dhënë sinjale inkurajuese. Mesfushorët Drame dhe Braga, si edhe qendërmbrojtësit Lleshi e Lagonidhis, kanë treguar cilësi fizike dhe teknike që i bëjnë kandidatë seriozë për formacionin titullar. Nga ana tjetër, Jahiji dhe Veliçkovski kanë luajtur më pak minuta, por mbeten futbollistë me potencial që duhen ndjekur në vazhdim.

Ai që deri tani nuk ka arritur të bindë, si nga ana fizike ashtu edhe teknike, është sulmuesi Diallo. Pavarësisht pritshmërive të krijuara nga karriera e tij, ai ende nuk ka dhënë shkëndijat e para. Madje, në miqësoren me Partizanin, trajneri Ahmataj tentoi t'i ndryshonte edhe krahun e aktivizimit në pjesën e dytë, por lojtari nuk arriti të bënte diferencën. Është e mundur që ai të ketë nevojë për më shumë kohë për t'u përshtatur me grupin dhe për të arritur formën optimale.


Në këndvështrimin tim, nuk duhet të nxitohemi për ta cilësuar një dështim. Përkundrazi, stafi teknik duhet të hartojë një plan të veçantë pune deri në fillimin e kampionatit, në mënyrë që lojtari të ketë mundësinë të tregojë potencialin e tij real. Vetëm atëherë mund të jepet një vlerësim më i drejtë për nivelin e tij.


Në përfundim, mund të thuhet se Skënderbeu e mbyll muajin e parë të ndërtimit të skuadrës së re me bindjen se ka ende shumë punë përpara. Objektivi është krijimi i një ekipi konkurrues, që të luftojë denjësisht në kampionatin e ri. Tifozët duhet të jenë të vetëdijshëm se rikthimi i Skënderbeut mes skuadrave pretendente për Kupat e Europës është një proces që kërkon kohë, durim dhe vazhdimësi. Ashtu si në sport, edhe në jetë, suksesi nuk vjen menjëherë.


Ky rrugëtim do të ketë sfidat dhe pengesat e veta, ndërsa edhe rivalët po përforcohen dhe kanë objektivat e tyre. Megjithatë, aleati më i madh i Skënderbeut mbeten tifozët. Ata që nuk e braktisën skuadrën në ditët më të vështira duhet të jenë edhe tani pranë saj, në stadium, për ta mbështetur në këtë kapitull të ri.

“KORÇA BOOM”


bottom of page