top of page

E pabesueshme! Artan Pogoni ndërron jetë gjatë pushimeve në Vlorë

  • 2 hours ago
  • 1 min read

Sporti shqiptar është zgjuar me një lajm të hidhur. Akademiku Artan Pogoni ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak, teksa ndodhej me pushime në qytetin e Vlorës.


Lajmi ka tronditur familjarët, miqtë, kolegët, studentët dhe të gjithë ata që e njohën nga afër, ndërsa ai lë pas bashkëshorten dhe dy fëmijët, një djalë dhe një vajzë.


Artan Pogoni ishte një nga figurat më të spikatura të volejbollit shqiptar. Gjatë karrierës së tij ai u dallua si sportist dhe trajner, duke fituar trofe dhe duke dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e këtij sporti. Po ashtu, ai ishte një zë i njohur në emisionet sportive, ku analizat e tij profesionale, të shoqëruara me humor, batuta dhe sarkazëm, e bënë një personazh të veçantë dhe të vlerësuar nga publiku.


Përveç suksesit në sport, Pogoni kishte një profil të spikatur akademik. Ai zotëronte katër diploma universitare, mbante titullin Doktor i Shkencave dhe ishte autor i 12 publikimeve shkencore, si edhe i dy teksteve universitare.


Në Universitetin “Barleti”, ai ushtronte detyrën e Përgjegjësit të Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sporteve, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në formimin e brezave të rinj.


Karriera e tij përfshinte edhe angazhime të rëndësishme në administrimin e sportit. Ai ka shërbyer si drejtor sporti në Bashkinë e Tiranës, ndërsa vitet e fundit ishte një nga figurat drejtuese të Barleti Volej, ku kontribuoi edhe si trajner i ekipit të femrave.


Ndarja e parakohshme nga jeta e Artan Pogonit është një humbje e madhe për sportin dhe botën akademike shqiptare, ndërsa kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten të paharruar.

“KORÇA BOOM”


bottom of page