Ekspertët: Nxënësit të flenë më shumë, mësimi duhet të nisë më vonë
- 19 hours ago
- 2 min read
Shkollat duhet të shqyrtojnë mundësinë e aplikimit të orareve më fleksibile, duke u mundësuar nxënësve nisjen e mësimit më vonë në mëngjes. Ky është rekomandimi i një grupi studiuesish zviceranë, të cilët argumentojnë se adoleshentët kanë një ritëm biologjik që i shtyn të flenë dhe të zgjohen më vonë krahasuar me të rriturit.
Sipas tyre, shumë të rinj nuk arrijnë të plotësojnë nevojën ditore për gjumë për shkak të fillimit të hershëm të mësimit, çka sjell pasoja në mirëqenie dhe në procesin e të nxënit.
“Kjo është shqetësuese, pasi mungesa kronike e gjumit nuk ndikon vetëm në mirëqenie, por ka edhe pasoja të matshme në shëndetin mendor, zhvillimin fizik dhe aftësinë për të mësuar”, deklaroi Oscar Jenni nga Universiteti i Zyrihut, pjesë e ekipit që publikoi studimin në revistën shkencore Journal of Adolescent Health.
Studimi analizoi efektet e një modeli fleksibël të zbatuar tre vite më parë në një shkollë të mesme në kantonin St. Gallen. Deri atëherë, mësimi në këtë institucion niste në orën 07:20.
Me ndryshimin e programit, nxënësve iu ofruan dy alternativa: të merrnin pjesë në orë opsionale që nisnin në 07:30 ose të fillonin mësimin e rregullt në orën 08:30.
Studiuesit krahasuan rezultatet akademike dhe të dhënat mbi zakonet e gjumit të nxënësve para dhe pas zbatimit të sistemit të ri. Sipas përfundimeve, 95% e nxënësve zgjodhën të shkonin në shkollë më vonë, duke fituar deri në 40 minuta më shumë gjumë çdo mëngjes.
Ora e fjetjes mbeti pothuajse e njëjtë, çka çoi në rritje të kohëzgjatjes totale të pushimit gjatë natës.
Pas aplikimit të orarit fleksibël, u konstatua përmirësim i rezultateve, veçanërisht në matematikë dhe në gjuhën angleze. Po ashtu, nxënësit raportuan më pak shqetësime të lidhura me gjumin dhe një rritje të cilësisë së jetës së lidhur me shëndetin, theksoi drejtuesja e studimit, Joëlle Albrecht.
Sipas ekipit kërkimor, fleksibiliteti në oraret shkollore mund të ndikojë pozitivisht jo vetëm në performancën akademike, por edhe në përballimin e sfidave në rritje të shëndetit mendor tek të rinjtë./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















