top of page

Ekspertët: Rritet numri i grave përdoruese të dr*gës, juglindja e vendit pa qendra rehabilitimi

  • 5 hours ago
  • 2 min read

Në juglindje po shtohet ndjeshëm numri i personave që përballen me probleme të shëndetit mendor, por edhe i përdoruesve të lëndëve narkotike. Sipas specialistëve, vihet re një rritje edhe e grave dhe vajzave që përdorin substanca narkotike, ndërsa mungesa e qendrave të rehabilitimit afatgjatë në Korçë e vështirëson trajtimin dhe rikthimin e tyre në shoqëri.


Në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor në Korçë, specialistët thonë se problemet sociale po rëndojnë gjithnjë e më shumë situatën e personave me çrregullime të shëndetit mendor. Sipas tyre, fenomeni i emigracionit dhe braktisja nga familjarët po shtojnë rastet e vetmisë, ndërsa është rritur edhe numri i grave dhe vajzave që përdorin alkool dhe lëndë narkotike.


“Janë persona që ngelen vetëm, humbin familjarët, braktisen për shkak të emigracionit. Është bërë ngarkesë e madhe në spitalet psikiatrike, sepse nuk merren nga familjarët, dhe pyetja është kush kujdeset për këtë njeri pas daljes? Si do të ndiqet terapia, me kë do të jetojë? Problemi kryesor është ndjekja dhe trajtimi afatgjatë i personave me probleme të shëndetit mendor të vetmuar e pa kujdesur. Edhe për përdoruesit e lëndëve narkotike ka qendra trajtimi afatgjatë private, me kosto të lartë dhe jashtë vendit, të papërballueshme. E kemi pasur të vështirë rehabilitimin për seksin femër. Femrat që sot është rritur numri i përdorueseve të alkoolit dhe lëndëve narkotike”, tha Nikolina Bode, mjeke psikiatre.


Mjekja thekson se rajoni ka nevojë për më shumë struktura publike rehabilitimi, pasi kapacitetet aktuale nuk mjaftojnë për të përballuar kërkesat në rritje. Sipas saj, rehabilitimi nuk duhet të përfundojë me daljen nga spitali, por të shoqërohet me kujdes afatgjatë dhe mbështetje sociale.


“Kemi dy shtëpi psikiatrike me kapacitet të kufizuar, por kërkesat janë më të larta se aq. Për problemet sociale në rritje, e aq më tepër në juglindje, ku ikja, emigrimi dhe lënia vetëm janë në shifra të larta, duhen institucione rehabilituese shtetërore dhe persona kujdestarë që të kujdesen për këtë kategori”, shtoi Nikolina Bode.


Vetëm në juglindje të vendit janë mbi 5 mijë persona që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Specialistët vlerësojnë se zgjerimi i shërbimeve rehabilituese dhe forcimi i mbështetjes sociale mbeten ndër nevojat më urgjente për të parandaluar përkeqësimin e situatës./ Euronews

“KORÇA BOOM”


bottom of page