EMRAT/ Kishin kultivuar mbi 1800 bimë k*nabis, në pranga babë e bir! Në kërkim djali tjetër
- 2 hours ago
- 2 min read
Babë e bir janë vënë në pranga në Kukës pasi kishin kultivuar 1874 bimë kanabis, kurse djali tjetër është shpallur në kërkim. Të arrestuarit janë Rrustem Ukaj, 70 vjeç dhe Besmir Ukaj, 34 vjeç. Policia ka proceduar penalisht edhe kryetarin e fshatit Vlahën, ndërsa në banesën e të arrestuarve ka sekuestruar edhe municione luftarake. Parcela ku ishin mbjellë 1874 bimë kanabis u zbulua nga blutë në njësinë administrative Golaj, në territorin e fshatit Vlahen, ku një pjesë e tyre u asgjësuan me djegie.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni i koduar “Territor i Pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike. Goditet 1 rast i kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Vlahën. Identifikohen 3 shtetas si autorë të dyshuar të rastit (babai dhe 2 djemtë). Vihen në pranga 2 nga këta shtetas, punohet për kapjen e tjetrit. Sekuestrohen municion luftarak dhe 5 m fitil zjarrpërcjellës, që u gjetën në banesën e tyre. Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit Vlahën, për shpërdorim detyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Has, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare Qaf Prush, kanë vijuar me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e bashkisë Has, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve, në njësinë administrative Golaj, në territorin e fshatit Vlahen, u konstatuan të kultivuara një numër i konsiderueshëm bimësh të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me djegie.
Në vijim të veprimeve hetimore u arrestuan si autorë të dyshuar, shtetasit Rr. U ., 70 vjeç dhe B. U., 34 vjeç (babë dhe bir), banues në fshatin Vlahën, si dhe u shpall në kërkim djali tjetër i 70-vjeçarit, shtetasi A. U., 44 vjeç. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Rr. S., 58 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit Vlahën, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Kukës, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtrisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
“KORÇA BOOM”
















