top of page

Frikë dhe tension në shkollë, nxënësit protestojnë pas pl*agosjes së një bashkëmoshatari

  • 8 hours ago
  • 1 min read

Nxënës të gjimnazit “Sulejman Delvina” në Delvinë kanë protestuar këtë të premte përpara ambienteve të Komisariatit të Policisë, pas një incidenti të rëndë të ndodhur në shkollën e tyre.


Protesta u organizua pas një përplasjeje mes dy nxënësve që përfundoi me përdorimin e një thike, ku njëri prej tyre mbeti i plagosur në shpatull.


Sipas nxënësve, situata problematike në shkollë është denoncuar disa herë më parë pranë drejtuesve të institucionit, por pa u marrë masa konkrete për të parandaluar përshkallëzimin e saj. Ata shprehen se, edhe pse një nga nxënësit kishte shfaqur më herët sjellje problematike, nuk është ndërhyrë në kohë për të shmangur incidentin.


Ngjarja, sipas dëshmive të nxënësve, ka nisur brenda ambienteve të shkollës dhe më pas është agravuar pasi të rinjtë janë larguar nga mjediset e saj.


Nxënësit pretendojnë gjithashtu se prindërit nuk janë njoftuar menjëherë për incidentin dhe se nxënësi i përfshirë është lejuar të largohet nga shkolla para përfundimit të orarit mësimor. Sipas tyre, situata të tilla janë përsëritur edhe më parë, duke krijuar ndjenjë pasigurie mes nxënësve.


Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta mes nxënësve dhe pritet që autoritetet përkatëse të sqarojnë rrethanat e plota të incidentit.

"KORCA BOOM"


bottom of page