FSHB vendos masa të forta disiplinore: trajnerët dhe lojtarët nuk falen më
- Korca Boom
- 5 hours ago
- 2 min read
Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB) ka vendosur masa të reja disiplinore dhe rritje të ndjeshme të gjobave për sjellje josportive gjatë ndeshjeve. Ky vendim është marrë nga Komiteti Drejtues i FSHB-së pas shqyrtimit të problematikave të përsëritura në kampionate.
Qëllimi i këtyre masave është parandalimi i sjelljeve të papranueshme, rritja e përgjegjshmërisë së lojtarëve dhe trajnerëve, si dhe forcimi i respektit ndaj gjyqtarëve dhe zyrtarëve të ndeshjes.
Rritje e gjobave për sjellje josportive
Sipas ndryshimeve në Nenin 14 – Dënimet për sjellje josportive, gjobat janë dyfishuar:
Gabim teknik i lojtarit: 8.000 lekë (më parë 4.000 lekë)
Gabim përjashtimi i lojtarit: 20.000 lekë (më parë 10.000 lekë)
Gabim teknik i trajnerit ose stolit: 20.000 lekë (më parë 10.000 lekë për trajnerin dhe 4.000 lekë për stolin)
Gabim përjashtimi për trajnerin ose stolin: 30.000 lekë (më parë 15.000 lekë)
Masa shtesë disiplinore
Përveç gjobave, janë parashikuar edhe masa disiplinore:
Në rast përjashtimi, lojtari ose trajneri nuk mund të marrë pjesë në ndeshjen pasuese të kampionatit.
Nëse një lojtari ose trajneri i jepet gabim teknik i dytë brenda të njëjtës fazë të kampionatit, ai përveç gjobës, pezullohet nga ndeshja pasuese.
FSHB thekson se respekti ndaj zyrtarëve është detyrim, ndërsa disiplina mbetet garanci për mbrojtjen e lojës së basketbollit.
Procedura e ankimimit
Ekipet që pretendojnë pasaktësi në dhënien e gabimeve teknike apo përjashtimeve mund të ankimojnë vendimin brenda 24 orëve nga përfundimi i ndeshjes. Ankimimi duhet të shoqërohet me:
Relacion shpjegues të rastit
Pamje filmike përkatëse
Mandat pagese prej 5.000 lekësh
Ankimimet e paplota ose të paraqitura jashtë afatit nuk shqyrtohen. Komisioni i Gjyqtarëve merr vendim brenda 72 orëve nga depozitimi i plotë i dokumentacionit. Dorëzimi i ankimimeve bëhet vetëm përmes kanaleve zyrtare të FSHB-së, dhe vendimet kanë fuqi zbatuese për të gjitha kategoritë dhe nivelet e garave të organizuara nga Federata.
"KORCA BOOM"



















