top of page

Fundi i gushtit përcakton fatin e emrave në qeveri/ Kush do vazhdojë dhe kush do zëvendësohet?

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 19 hours ago
  • 2 min read

Vjeshta politike pritet të jetë e tensionuar dhe plot zhvillime të reja. Në muajin shtator nis sesioni i ri parlamentar, i cili do të shënojë fillimin e legjislaturës së re, me shumë deputetë të rinj që do të ulen për herë të parë në Kuvend, të përzgjedhur nga forca të ndryshme politike.


Në radhët e Partisë Demokratike priten zhvillime të rëndësishme dhe përplasje të brendshme.


Beteja pritet të përqendrohet jo vetëm për çështjen e drejtimit, por edhe për postet e rëndësishme që do të përcaktojnë rolin e opozitës brenda dhe jashtë Kuvendit.


Deri më tani, pozicioni i kryetarit vijon të mbahet nga ish-kryeministri Sali Berisha, por zhvillimet e brendshme dhe dinamikat e reja pritet ta sfidojnë këtë pozicion në muajt në vijim.


Edhe në kampin tjetër politik, Partia Socialiste nuk është më pak e angazhuar. Qeveria ndodhet zyrtarisht në pushime verore, por përpara se kabineti të merrte pak kohë për relaks, kryeministri Edi Rama organizoi një mbledhje me ministrat në fund të korrikut, ku u bë një analizë e detajuar e punës së tyre. Theksi u vendos mbi aksionin për lirimin e hapësirave publike, një nismë që shërben si provë e parë pas fitores së mandatit të katërt qeverisës.


Kjo nismë konsiderohet si testi që do të përcaktojë nëse ministrat aktualë do të qëndrojnë në pozicionet e tyre edhe gjatë legjislaturës së re. Asnjë emër nuk është i sigurt, edhe pse disa prej tyre janë ndër figurat më jetëgjata të kabinetit Rama. Mirela Kumbaro mban rekordin me më shumë se nëntë vite në poste ministrore, e ndjekur nga Ogerta Manastirliu me tetë vite dhe Belinda Balluku me gjashtë vite.


Kryeministri ndau detyrat për secilin ministër, në kuadër të operacionit të hapësirave publike. Ogerta Manastirliu dhe Arbjan Mazniku u caktuan të drejtojnë analizën administrative dhe të burimeve njerëzore në Bashkinë e Tiranës. Belinda Balluku dhe Anila Denaj u ngarkuan me përgjegjësinë për shërbimet publike dhe auditimin e financave, ndërsa Arben Malaj u përfshi në rolin e audituesit financiar.


Blendi Gonxhja, bashkë me drejtorin e transportit të bashkisë, do të udhëhiqnin grupet që do të dokumentonin me fotografi situatën e hapësirave publike, vendparkimeve dhe trafikut në kryeqytet.

Për zonën e Tiranës, kujdes i veçantë iu kërkua kryetares së komanduar të Bashkisë, Anuela Ristani, dhe Ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu. Ndërkohë, në jug të vendit, në Vlorë, Mirela Kumbaro u vendos në krye të inspektimeve për hapësirat publike në plazhe dhe për ndotjen mjedisore.


Vetëm në fund të muajit gusht do të kuptohet qartë se sa e kanë përmbushur misionin e tyre ministrat aktualë dhe kush do të jetë pjesë e kabinetit në vazhdim. Performanca e tyre gjatë kësaj periudhe do të jetë vendimtare për të marrë një mandat të ri në qeverinë e katërt të drejtuar nga Edi Rama.

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page