Gara nis zyrtarisht: KQZ regjistron tre parti për zgjedhjet e 9 nëntorit
- Korca Boom
- Oct 13
- 1 min read
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka regjistruar tre subjekte zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore që do të zhvillohen më 9 nëntor 2025. Në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve shqyrtoi kërkesat e tre partive politike për regjistrimin e tyre si subjekte pjesëmarrëse në këto zgjedhje, të cilat do të zhvillohen në bashkitë Vlorë, Tepelenë, Cërrik dhe Berat.
Pas shqyrtimit, u vendos regjistrimi i partive: “Partia Socialiste e Shqipërisë”, “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” dhe “Lëvizja Shqipëria Bëhet”. Afati përfundimtar për regjistrimin e partive politike në këto zgjedhje është data 14 tetor 2025.
Në të njëjtën seancë, Komisioni miratoi edhe disa elementë përmbajtësorë të fletës së votimit, që do të përdoret në zgjedhjet për kryetar bashkie në njësitë përkatëse të vetëqeverisjes vendore.
Gjithashtu, u mor vendim për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Shkurt Lasku, kandidat i listës shumemërore të Partisë Socialdemokrate në qarkun Shkodër, për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025.
“KORÇA BOOM”



















