"Gjuetia" për flori, 40-vjeçari shqiptar dhe miku i tij grek terrorizojnë një fshat në Maliq
- 4 hours ago
- 2 min read
Ajo që nisi si një ngjarje e rëndë me të shtëna arme dhe panik te banorët, ka zbuluar një plan të pazakontë për gjetjen e floririt të fshehur. Policia e Maliqit, e mbështetur nga Forcat e Posaçme “Shqiponja”, ka vënë në pranga një 40-vjeçar shqiptar dhe një 48-vjeçar grek pas të shtënave me armë zjarri në fshatin Orman.
Ngjarja u regjistrua pasi banorët e fshatit Orman sinjalizuan forcat e rendit se një person po qëllonte në ajër me armë zjarri, duke terrorizuar zonën dhe duke rrezikuar jetën e tyre.
Falë reagimit të menjëhershëm, forcat e Policisë lokalizuan dhe neutralizuan autorin, të identifikuar si shtetasi K. A., 40 vjeç, banues në Orman. Gjatë operacionit atij iu sekuestrua arma e zjarrit tip kallashnikov dhe municion luftarak. Nga verifikimet rezultoi se 40-vjeçari ishte një person me precedentë të theksuar penalë, i dënuar më parë për vjedhje, si dhe për prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
“Gjuetia” për flori dhe arrestimi i shtetasit grek
Në pranga ka rënë edhe miku i autorit, shtetasi grek D. P., 48 vjeç, me banim në Athinë. Ai akuzohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ndodhej bashkë me 40-vjeçarin në momentin kur ky i fundit zbrazte karikatorin e kallashnikovit.
Por, hetimet zbuluan një detaj tjetër rreth pranisë së tij në këtë fshat. Gjatë kontrollit në banesën e shqiptarit u gjet një aparat metalkërkues. Sipas hetimeve paraprake të Policisë, shtetasi grek e kishte sjellë këtë pajisje nga Athina dhe kishte udhëtuar drejt Maliqit për të kërkuar flori (thesare të fshehura) së bashku me 40-vjeçarin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë zjarri tip Kallashnikov; sasi municioni luftarak; një pajisje metalkërkuese (për gjetjen e floririt/metaleve); fara të bimës narkotike kanabis (të gjetura në banesën e 40-vjeçarit).
Dosja dhe materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj ngjarjeje./ Wox
“KORÇA BOOM”
















