top of page

Historia e panjohur e shtypit shqiptar në SHBA

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 days ago
  • 2 min read

Gazetat shqiptare në Amerikën e viteve ’30 luajtën një rol të rëndësishëm në jetën politike dhe kulturore të diasporës, por jo domosdoshmërisht si zë i gjerë përfaqësues i komunitetit emigrant. Libri “Lufta e shqiptarëve në Botën e Vjetër dhe të Re”, botuar në vitin 1939 në Shtetet e Bashkuara, ofron një pasqyrë të detajuar mbi këto botime, duke nxjerrë në pah lidhjet e tyre politike, konfliktet e brendshme dhe ndikimin e regjimit të kohës.


Gazeta Dielli e Bostonit, një botim javor, përshkruhet si e subvencionuar në mënyrë të tërthortë nga qeveria shqiptare. Nga rreth 700 kopje që shtypeshin çdo javë, një pjesë e konsiderueshme dërgohej në Shqipëri për t’u shpërndarë te prefektët dhe zyrtarët shtetërorë. Me katër faqe dhe pak reklama, gazeta botonte rregullisht shkrime të Faik Konicës, asokohe ministër i Shqipërisë në Uashington. Si organ i shoqatës “Vatra”, Dielli u shpërndahej falas anëtarëve të saj dhe qarkullonte kryesisht në shtetet e Maine, Connecticut, Nju Jork dhe Pensilvani.


E ngjashme në linjë editoriale ishte edhe gazeta Bota, e themeluar në vitin 1936 nga George Prifti, konsull nderi i Shqipërisë në Boston. Ajo botohej dy herë në muaj dhe shfaqte shpesh fotografi të Mbretit Zog apo të studentëve shqiptaro-amerikanë. Një veçori e saj ishte përdorimi i gjuhës angleze për t’iu drejtuar brezit të ri. Artikujt e Stephen Peters, intelektual i formuar në Harvard, përbënin pjesën më të spikatur të gazetës, e cila kishte rreth 500 abonentë.


Ndërkohë, Dielli i Detroitit përballej me vështirësi financiare dhe kishte pezulluar botimin, ndërsa e ardhmja e tij mbetej e pasigurt. Ashtu si shumica e shtypit shqiptaro-amerikan të asaj kohe, edhe kjo gazetë ndiqte një linjë të fortë pro-Zog dhe pro-italiane.


Në korrik të vitit 1938 u themelua gazeta Demokratia në Boston, me Arthur Tashkon si redaktor. E mbështetur nga një grup liberalësh shqiptarë, ajo u pozicionua kundër politikave të Fan Nolit, duke i cilësuar ato si fashiste. Megjithëse programi i saj promovonte parime si paqja, liria dhe demokracia, nuk arriti të fitojë mbështetjen e gjerë të lexuesve.


E vetmja gazetë që qëndroi larg politikës ishte Lajmetari Shqipëtar, një botim dyjavor nga Worcester-i, i themeluar në vitin 1934 nga Peter Kolonia. Me një program shoqëror, etik dhe arsimor, ajo kishte një tirazh prej rreth 1600 kopjesh dhe shpërndahej jo vetëm në SHBA, por edhe në Evropën Lindore dhe Amerikën e Jugut.


Paralelisht, disa gazeta të botuara në Shqipëri, si Drita dhe Shtypi, dërgoheshin rregullisht në SHBA, kryesisht në konsullata dhe te figura të njohura të diasporës. Këto botime, shpesh pro-regjimit dhe pro-italiane, i kushtonin rëndësi të madhe propagandës vizuale dhe figurës së familjes mbretërore.


Në tërësi, shtypi shqiptar në Amerikën e viteve ’30 reflektonte më shumë përplasjet politike dhe interesat e elitave sesa nevojat reale të diasporës. Gazetat shërbyen shpesh si instrumente ndikimi politik, duke lënë në plan të dytë zërin dhe shqetësimet e komunitetit emigrant shqiptar.

"KORCA BOOM"


bottom of page