top of page

HISTORIKE/ Aeroporti i Rinasit bën hapin gjigant, i pari në Ballkan me sistemin më të avancuar të Airbus

  • May 26
  • 2 min read

Tirana International Airport (TIA), Vodafone Albania dhe Airbus kanë prezantuar zyrtarisht implementimin e platformës së komunikimeve mission-critical të Airbus në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke e kthyer atë në aeroportin e parë në Ballkanin Perëndimor që adopton këtë teknologji të avancuar për operacionet dhe sigurinë aeroportuale.


Zgjidhja është ndërtuar mbi infrastrukturën dhe kapacitetet e avancuara të rrjetit 5G të Vodafone Albania dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt transformimit dixhital të infrastrukturave kritike në Shqipëri, me fokus në rritjen e sigurisë, efikasitetit dhe koordinimit operacional.


Platforma e re mundëson komunikim të sigurt dhe në kohë reale ndërmjet ekipeve operacionale në aeroport, duke përmirësuar ndjeshëm mënyrën e koordinimit të proceseve aeroportuale. Ajo gjithashtu mundëson reagim më të shpejtë dhe më të saktë ndaj situatave emergjente, si dhe menaxhim më të avancuar të sigurisë në të gjitha nivelet e operimit.


Teknologjia “mission-critical” e Airbus është përdorur gjerësisht në aeroporte ndërkombëtare, organizata të sigurisë publike dhe operatorë të infrastrukturave kritike në mbarë botën, duke u konsideruar si një standard i avancuar për komunikimet operative ku çdo sekondë është vendimtare.


Kjo iniciativë, sipas palëve të përfshira, shkon përtej një investimi teknologjik të zakonshëm. Ajo demonstron mënyrën se si partneritetet ndërmjet liderëve globalë të teknologjisë dhe institucioneve strategjike mund të përshpejtojnë modernizimin e infrastrukturës kombëtare dhe të rrisin standardet operacionale në sektorë me rëndësi jetike për ekonominë e vendit.


Drejtori Operacional i Tirana International Airport, Tirana International Airport Piervittorio Farabbi, u shpreh se implementimi i kësaj platforme shënon një hap të rëndësishëm përpara për aeroportin.


“Sot Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës hedh një hap të rëndësishëm përpara me implementimin e platformës mission-critical të Airbus, të mbështetur nga lidhja e avancuar 5G e Vodafone Albania. Së bashku po ndërtojmë një infrastrukturë që garanton operacione më të sigurta, koordinim në kohë reale dhe mbështet konkurrueshmërinë afatgjatë të Shqipërisë”, tha ai.


Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i Vodafone Albania, Balázs Révész, theksoi se ky projekt tregon qartë rolin e ri të kompanisë në zhvillimin e infrastrukturës kritike.


“Ky projekt tregon qartë se roli i Vodafone sot shkon shumë përtej telekomunikacionit tradicional. Nëpërmjet partneriteteve me liderë globalë si Airbus dhe institucione strategjike si Tirana International Airport, ne po sjellim në Shqipëri ekspertizë ndërkombëtare, teknologji të provuara dhe standarde të avancuara që mbështesin funksionimin e infrastrukturave kritike. Ambicia jonë është të jemi partneri teknologjik që ndihmon në ndërtimin e themeleve dixhitale mbi të cilat mbështetet ekonomia moderne”, u shpreh ai.


Përfaqësuesi i Airbus për Europën Jugore, Lionello Ginelli, theksoi rëndësinë e integrimit të teknologjive të avancuara në operacionet aeroportuale.


“Duke kombinuar platformën mission-critical Agnet të Airbus me lidhjen premium të Vodafone, po ofrojmë një zgjidhje të integruar dhe të nivelit më të lartë për përdoruesit tanë, e projektuar për të garantuar komunikim të besueshëm dhe performancë në mjedise operacionale kritike”, tha ai.


Sistemi i implementuar në TIA bazohet në teknologjinë Push-to-Talk Mission Critical të Airbus dhe mundëson komunikim të menjëhershëm, të sigurt dhe të pandërprerë ndërmjet ekipeve të aeroportit. Platforma integrohet plotësisht me infrastrukturën ekzistuese dhe krijon bazën për zhvillime të mëtejshme në automatizim, monitorim operacional dhe menaxhim inteligjent të proceseve aeroportuale.

"KORÇA BOOM"


bottom of page