top of page

Holanda shkatërron Suedinë me “manita”, ‘tulipanët’ shijojnë fitoren e parë në Botëror

  • 2 hours ago
  • 2 min read

Kombëtarja e Holandës ka regjistruar fitoren e saj të parë në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur bindshëm Suedinë me rezultatin 5-1 në ndeshjen e zhvilluar në Houston.


“Tulipanët” e nisën sfidën në mënyrë perfekte, duke kaluar në avantazh që në minutën e pestë. Pas një kundërsulmi të shpejtë dhe një kombinimi të bukur në fazën sulmuese, Brian Brobi shfrytëzoi një top të servirur nga Kodi Gakpo dhe e dërgoi në rrjetë për 1-0.


Sulmuesi i Sandërlendit ishte sërish protagonist në minutën e 17-të, kur realizoi golin e dytë personal dhe të skuadrës së tij, këtë herë pas një asistimi nga krahu i djathtë i Denzel Dumfris.


Suedia mendoi se kishte rihapur takimin në fundin e pjesës së parë me një gol me kokë të Gustaf Lagerbielke, por festa e skandinavëve zgjati pak, pasi goli u anulua për pozicion jashtë loje. Kështu, pjesa e parë u mbyll me avantazhin 2-0 të Holandës.


Edhe fraksioni i dytë nisi nën dominimin e “Tulipanëve”. Kodi Gakpo vulosi epërsinë me dy gola të shpejtë, duke realizuar në minutat 49 dhe 54. Në aksionet e golave kontribuan me asistime Denzel Dumfris dhe Krisensio Samërvil.


Suedia arriti të shënonte golin e vetëm në minutën e 58-të. Entoni Elanga udhëhoqi një kundërsulm të shpejtë, ndërsa Aleksandër Isak dha asistin vendimtar për golin që ngushtoi përkohësisht diferencën.


Megjithatë, fjala e fundit i takoi Holandës. Në minutat e fundit të kohës së rregullt, Krisensio Samërvill shënoi golin e pestë pas një aksioni të bukur, duke finalizuar asistin e Memfis Depaj, me të dy lojtarët që kishin hyrë në fushë nga stoli gjatë pjesës së dytë.


Me këtë fitore të thellë 5-1, Holanda ngjitet në krye të Grupit F me katër pikë. Ndërkohë, ndeshja tjetër e grupit mes Tunizisë dhe Japonisë do të zhvillohet në orët e para të mëngjesit të së nesërmes.

“KORÇA BOOM”


bottom of page