I kërkonte para për të larë borxhin e bixhozit, përfundon në pranga
- 2 hours ago
- 1 min read
Një 26-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia në Itali, pasi akuzohet se ka shantazhuar dhe kërcënuar me vdekje një mikun e tij italian për t’i marrë një shumë prej 30 mijë eurosh, të cilat synonte t’i përdorte për të shlyer një borxh të krijuar nga bixhozi.
Sipas mediave italiane, ngjarja ka zgjatur për rreth tre muaj. I riu shqiptar dyshohet se ushtroi presion të vazhdueshëm ndaj 30-vjeçarit italian, duke e kërcënuar se do ta vriste nëse nuk i siguronte paratë që kërkonte.
Dy të rinjtë ishin njohur në pranverë në një lokal dhe me kalimin e kohës kishin krijuar një marrëdhënie miqësore. Fillimisht, shqiptari i kishte ofruar ndihmë italianit, i cili sipas autoriteteve vuante nga probleme të caktuara të brishtësisë psikologjike. Më pas, ai nisi t’i kërkonte mbështetje financiare, duke përfituar nga besimi që kishte fituar.
Me kalimin e javëve, kërkesat për para u bënë gjithnjë e më të shpeshta. Viktima i dorëzoi fillimisht të gjitha kursimet e tij, rreth 14 mijë euro, por kjo nuk mjaftoi. Sipas hetimeve, shqiptari e detyroi më pas 30-vjeçarin të aplikonte edhe për kredi, me qëllim që t’i siguronte shumën totale prej 30 mijë eurosh.
Pas denoncimit të rastit dhe hetimeve të zhvilluara nga autoritetet italiane, 26-vjeçari shqiptar u vu në pranga dhe tashmë do të përballet me akuzat për shantazh, kërcënim dhe zhvatje.
Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse i dyshuari mund të ketë pasur edhe viktima të tjera.
“KORÇA BOOM”
















