Inflacioni në Shqipëri arrin në 2.5% në shkurt 2026, ekspertët paralajmërojnë rritje të mëtejshme të çmimeve në muajt në vijim
- 19 hours ago
- 1 min read
Norma e inflacionit në vend vijon të shënojë rritje gjatë vitit 2026. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, inflacioni i matur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit në muajin shkurt 2026 arriti në 2.5%, nga 1.9% që ishte në shkurt të vitit 2025.
Sipas ekspertit ekonomik Igli Tola, trendi i rritjes së çmimeve pritet të vijojë edhe në muajt në vijim.
“Trendi i rritjes në mënyrë progresive të inflacionit përmes indeksit të shportës konsumatore tregon një rritje të vazhdueshme të çmimeve”, u shpreh Tola.
Rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, i cili është rritur me 5.3%. Pas tij renditen “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4.3% dhe “Argëtim, sport dhe kulturë” me 4.2%.
Sipas ekspertit, tendenca e rritjes së inflacionit mund të vazhdojë edhe gjatë muajve të ardhshëm.
“Këto tendenca të rritjes së inflacionit në muajt në vijim, nga marsi e tutje, mendoj se do të shoqërohen me një rritje të konsiderueshme dhe mund të kalojnë edhe mesataren prej 3% të shpallur nga Banka e Shqipërisë”, theksoi ai.
Ndërkohë, krahasuar me muajin janar 2026, rritja më e madhe mujore është regjistruar te grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me një rritje prej 0.9%.
"KORCA BOOM"
















