Ka luajtur në filma të njohur dhe ka realizuar qindra emisione, sot feston aktorja korçare
Aktorja Merita Çoçoli feston sot ditëlindjen. E lindur më 22 nëntor 1958 në Maliq të Korçës, ajo ka ndërtuar një karrierë të gjatë në artin e skenës, kinematografi dhe televizion, duke lënë gjurmë edhe në promovimin e gjuhës shqipe përtej kufijve.
Merita Çoçoli përfundoi studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë, në degën e aktrimit, dhe më pas nisi karrierën e saj në Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës, ku u angazhua në jetën artistike dhe skenike.
Pas viteve ’90, ajo nisi bashkëpunimin me Televizionin e Shkupit në gjuhën shqipe, ku prej rreth 25 vitesh vijon aktivitetin e saj në promovimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe përmes kronikave, reportazheve dhe emisioneve televizive. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka realizuar afro 700 premiera televizive dhe aktualisht drejton Departamentin e Filmit dhe Teatrit pranë këtij televizioni.
Përveç punës në televizion, Merita Çoçoli është gjithashtu krijuese dhe pjesë e bordit të Festivalit të Teatrit “Art Fest”, që zhvillohet çdo vit në Shkup, duke kontribuar në promovimin e artit skenik dhe talenteve të reja.
Aktorja korçare ka interpretuar me profesionalizëm edhe në disa produksione kinematografike, mes të cilave “Asgjë nuk harohet”, “Përsëri pranverë”, “Të mos heshtesh”, “Binaret”, “Dasmë e çuditshme”, “Eja”, “Jeta në duart e tjetrit”, “Pranverë e hidhur” dhe “Koha e kometës”.
Në këtë ditë të veçantë, urimet për Merita Çoçolin janë të shumta, duke i dëshiruar shëndet, jetë të gjatë, lumturi dhe sa më shumë suksese në rrugëtimin e saj artistik.
Gëzuar ditëlindjen, Merita Çoçoli! 🎉
“KORÇA BOOM”
















