“Ka mbaruar dashuria”/ Kryemadhi trondit me rrëfimin për Ilir Metën
- 1 hour ago
- 2 min read
Monika Kryemadhi ka folur sot për jetën e saj personale dhe politike në një intervistë televizive, ku ka ndarë reflektime të forta mbi marrëdhënien me Ilir Metën, familjen dhe figurat e politikës shqiptare.
E ftuar në Top Channel, Kryemadhi u ndal gjatë te marrëdhënia me bashkëshortin e saj, Ilir Meta, duke komentuar edhe takimin e tij të fundit në seancë gjyqësore. Ajo u shpreh se e sheh atë “si më parë nga ana mendore, të kthjellët dhe strateg”, ndërsa shtoi se mes tyre aktualisht nuk ka asnjë komunikim.
Duke treguar emocionet e saj pas pamjes së Metës në sallën e gjyqit, Kryemadhi tha se ai mbetet për të një figurë e fortë mendërisht dhe politikisht, duke e cilësuar si “snajper” në mënyrën e tij të të menduarit. Ajo shtoi se, pavarësisht distancës, e njeh prej më shumë se tri dekadash dhe se respekti për të mbetet i pandryshuar.
“Ka mbaruar ndoshta dashuria,” u shpreh ajo, duke pranuar se marrëdhënia e tyre ka kaluar një fazë të vështirë dhe se aktualisht janë pa komunikim. Kryemadhi theksoi gjithashtu se Meta është “babai i fëmijëve të saj” dhe se i është mirënjohëse për rolin që ka pasur në jetën dhe karrierën e saj politike.
Një nga deklaratat më të forta të saj ishte edhe kërkesa për falje ndaj Metës, duke pranuar se në disa momente nuk ka qenë pranë tij kur ai kishte nevojë dhe se, sipas saj, e ka lënë në “shoqëri të gabuar”.
Në të njëjtën intervistë, Kryemadhi u ndal edhe te politika aktuale, ku vlerësoi deputetin e Partisë Socialiste Erion Braçe, të cilin e cilësoi si “politikanin më të aftë sot” dhe deklaroi se do ta votonte për kryetar bashkie.
Ajo komentoi gjithashtu edhe figurat televizive me të cilat ka bashkëpunuar në formatin “Big Brother”, duke vlerësuar pozitivisht moderatorët Ledion Liço dhe Arbër Hajdari, të cilët i përshkroi si prani me energji pozitive gjatë programit.
Në fund të intervistës, Kryemadhi u shpreh se ndjen nevojë për t’u kërkuar falje fëmijëve të saj për mungesën e kohës dhe vëmendjes emocionale ndër vite, si dhe për momentet kur, sipas saj, nuk ka qenë e pranishme në situata të vështira familjare.
“KORÇA BOOM”
















