top of page

Kaos te Pogradeci, çështja Zguro përçan ekipin, tjetër largim trondit klubin

  • 2 days ago
  • 2 min read

Pas humbjes në Laç, te Pogradeci gjithçka duket se ka dalë jashtë kontrollit. Klima pozitive që kishte shoqëruar skuadrën deri pak javë më parë është shuar, duke i lënë vend tensionit, përplasjeve dhe një atmosfere që po rëndohet dita-ditës.


Në kampin liqenor tashmë flitet për një ndarje të qartë brenda grupit. Pezullimi pa afat i kapitenit Vangjel Zguro, pas penalltisë së humbur ndaj Laçit, ka krijuar një përçarje të fortë: një pjesë e skuadrës rreshtohet në krah të kapitenit, ndërsa të tjerë mbështesin vendimin e trajnerit dhe drejtuesve.


Por kriza nuk ndalet këtu. Burime pranë klubit bëjnë me dije se situata është shumë më e thellë nga sa duket. Pas përplasjes mes trajnerit dhe Zguros, skuadra ka pësuar edhe një largim tjetër: futbollisti Miklovan Pere është tërhequr, i pakënaqur me mënyrën se si u menaxhua situata dhe me faktin që përgjegjësia për humbjen iu faturua hapur kapitenit.


Ndërkohë, brenda ekipit ka edhe zëra që fajësojnë stafin teknik për disfatën në Laç, duke argumentuar se zgjedhjet taktike ishin vendimtare. Nga ana tjetër, trajneri duket se ua ka deleguar përgjegjësinë lojtarëve, çka ka përkeqësuar më tej marrëdhëniet në skuadër.


Përplasjet, sipas burimeve, nuk janë të reja. Debate janë regjistruar edhe më herët me portierin Staniç dhe mbrojtësin Vilson Lila, ndërsa habi ka shkaktuar edhe lënia në stol e Danladit, një prej titullarëve kryesorë, pikërisht në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit.


Me vetëm dy javë nga fundi i sezonit të rregullt dhe fazën “play-off” në horizont, Pogradeci rrezikon seriozisht të dështojë në objektivin e madh të ngjitjes në kategori. Investimi i bërë nga presidenca është në rrezik, ndërsa skuadra duket si një “minë me sahat” në momentin më delikat.


Pavarësisht pezullimit të Zguros, një pjesë e madhe e tifozëve vijon të qëndrojë në krah të kapitenit, duke kujtuar kontributin e tij ndër vite dhe duke theksuar se penalltitë e humbura janë pjesë e lojës – edhe për emrat më të mëdhenj të futbollit botëror.

“KORÇA BOOM”


bottom of page