Maliqi po tremb rivalët, një tjetër fitore jashtë fushe dhe vendi i tretë i blinduar
Maliqi vazhdon të konfirmojë formën e mirë në kampionat, duke marrë një tjetër fitore të rëndësishme, këtë herë në transfertë ndaj Memaliajt. Skuadra maliqare triumfoi me rezultatin 2-1, duke treguar edhe një herë se nuk e njeh faktorin fushë.
Kjo fitore merr një rëndësi të veçantë për Maliqin, pasi tri pikët e siguruara e konsolidojnë në vendin e tretë të renditjes, ndërsa skuadra vijon të ushtrojë presion ndaj dy ekipeve që ndodhen më lart në klasifikim.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 72-të, kur Elmas dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar në avantazh miqtë. Vetëm 12 minuta më vonë, në të 84-ën, ishte Ibrahim që dyfishoi shifrat dhe i dha Maliqit një avantazh të rëndësishëm.
Memaliaj nuk u dorëzua dhe arriti të shkurtonte diferencën në fund të takimit me anë të Miranit, por koha e mbetur nuk mjaftoi për të ndryshuar fatin e ndeshjes.
Me këtë sukses, Maliqi dërgon një tjetër sinjal për rivalët në kampionat. Vendi i tretë duket gjithnjë e më i konsoliduar, por ambiciet e skuadrës nuk ndalen këtu. Me këtë ritëm, Maliqi po kërkon të afrohet edhe më shumë me dy ekipet që e paraprijnë në renditje.
“KORÇA BOOM”
















