Kastro Zizo flet hapur për zhgënjimin nga politika
- Korca Boom
- Jan 3
- 1 min read
“Artistët duhet të jenë opozitarë”. Kështu është shprehur këngëtari Kastro Zizo gjatë një podcast-i, ku deklaroi se artistët kanë përgjegjësi për gjendjen aktuale të shoqërisë dhe se, sipas tij, ata mbajnë edhe një pjesë të fajit përmes ndikimit që kanë me artin e tyre.
Gjatë bisedës, Kastro u thumbua nga Renis Gjoka për faktin se dikur ai shfaqej shpesh në krah të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në dalje publike. Megjithatë, këngëtari pranoi se qëndrimi i tij ka ndryshuar me kalimin e kohës.
Ai u shpreh se nuk e ndiente më veten të përfaqësuar pranë politikanëve dhe se kjo gjë e bënte të ndihej i huaj me veten. Sipas tij, daljet e shpeshta publike pranë figurave politike e kishin çuar deri në pikën që nuk e shihte më veten “në pasqyrë”, duke përdorur edhe një metaforë për mënyrën se si, sipas tij, po humbiste identitetin.
Në vijim të diskutimit, u përmend edhe një ofertë e mundshme për një post drejtues, të cilën Kastro Zizo tha se nuk e kishte pranuar. Ai la të kuptohej se arsyeja lidhej me mënyrën se si funksionojnë emërimet dhe pritshmëritë që shoqërojnë këto poste.
Deklaratat e tij kanë nxitur reagime dhe diskutime mbi rolin e artistëve në shoqëri dhe raportin e tyre me politikën.
"KORCA BOOM"



















